Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu ka bërë me dije se Italia ka vënë në dispozicion për vendet e Ballkanit Perëndimore protokollet mjekësore që ka trajtuar epideminë Covid-19. Protokollet italiane janë të ndryshme nga ato të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Materiali është përkthyer dhe u është shpërndarë qeverive të vendeve respektive.
“Italia, edhe njëherë i ka dhënë një ndihmë Ballkanit Perëndimor dhe për këtë ne jemi shumë mirënjohës. Shokët tanë italianë me aq bujari ndanë me ne përvojën e tyre dhe protokollet për trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19. Ne, RCC, kishim këtë detyrë modeste për t’i përkthyer këto dokumente në të gjitha gjuhët e rajonit dhe t’i ndanim ato me qeveritë tona partnere. Do sigurohemi që institucionet përkatëse mjekësore t’i marrin ato sa më shpejt që të jetë e mundur. Jemi krenarë të themi që e përfunduam këtë detyrë shumë shpejt, të vetëdijshëm që çdo ditë, në luftën kundër virusit, ka shumë rëndësi. Ky është solidaritet i vërtetë ndërveprimi”, është shprehur Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Këto protokolle përfshijnë të gjitha informacionet themelore për profesionistët e kujdesit shëndetësor, të cilat tashmë janë, ose do të përfshihen në trajtimin e personave të infektuar me virusin Covid-19. Udhëzimet janë rezultat i bashkëpunimit të specialistëve të sëmundjeve infektive, pneumologëve, specialistëve të sëmundjeve të brendshme, specialistëve të urgjencës, specialistëve të Shëndetit Publik dhe ekspertëve të tjerë mjekësorë që kaluan pjesën më të keqe të pandemisë COVID-19 në Spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo.
“Edhe pse jam italian, unë ndjehem si të isha qytetar i këtij rajoni, pasi tashmë u bënë shumë kohë që kam jetuar në Sarajevë. Kështu që nuk mund të ndiej gjë tjetër veç empatisë për qytetarët e rajonit si dhe mirënjohje për të gjitha mesazhet e mbështetjes që kanë ardhur për Italinë, kur vendi im po vuante shumë. Tani duam të ndajmë mësimet që kemi marrë gjatë kësaj beteje, pjesën më të keqe të së cilës, për fat të mirë, e lamë pas krahëve. Këto protokolle vijnë nga përvoja e punonjësve tanë mjekësorë që ishin ballë për ballë me virusin dhe jam i sigurt se ato do të ndihmojnë shumë kolegët e tyre në të gjithë Ballkanin. Ne jemi më të fortë së bashku kundër pandemive“, është shprehur Nicola Minasi, Ambasadori i Italisë në Bosnje dhe Hercegovinë.