Italia ashpërson më tej kufizimet, ndërsa i shpëton edhe njëherë rivendosjes së izolimit kombëtar. Kryeministri, Giuseppe Conte, gjatë një adresimi në parlament, tha se masat janë të nevojshme për të frenuar përhapjen e Covid-19, që ka arritur në nivele tepër të larta.
“Për fat të keq muzetë dhe ekspozitat do të mbyllen. Do të reduktojmë deri në 50% kapacitetin e të gjithë transportit publik dhe po shqyrtojmë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në dhe nga rajonet me një nivel të lartë rreziku, përveçse në rastet e udhëtimeve për arsye pune, shëndetësore dhe edukimi. Po planifikojmë të reduktojmë qarkullimin e njerëzve natën vonë, gjithashtu me përjashtim të rasteve kur ato bëhen për arsye pune, shëndetësore apo arsimore. Por shohim dhe mundësinë që shkollat e mesme të kalojnë online, me shpresën që kjo të jetë një masë e përkohshme”, deklaroi kryeministri Conte.
“Të qëndrojmë të bashkuar në këtë moment dramatik”, theksoi sot Giuseppe Conte duke folur para Dhomës së deputetëve, para finalizimit të një dekreti tjetër të masave për luftën kundër përhapjes së virusit.
“Prioritet është mbrojtja e shëndetit”, theksoi ai duke deklaruar se ishte shumë i ndërgjegjshëm për nervozizmin e qytetarëve, duke iu referuar manifestimeve të dhunshme këto ditët e fundit në disa qytete të vendit.
“Në Itali nuk është momenti për një kufizim të dytë të përgjithshëm, por qeveria kërkon tashmë të vendosë në nivel kombëtar kufizime në qarkullimin e personave në orët e vona të mbrëmjes”, theksoi Conte.
Dhe Italia do të ndahet me tri zona rreziku të pajisura me masa kufizuese sipas niveleve. Vendosja e një rajoni në një prej këtyre tre kategorive do të vendoset nga Ministria e Shëndetësisë duke marrë parasysh treguesin e transmetimit të virusit, praninë e vatrave të përhapjes dhe përqindjen e shtretërve të lirë në spitale.
Italia parashikon gjithashtu të kthejë disa masa të tjera në nivel kombëtar si më shumë mësim në distancë, një kapacitet maksimal të reduktuar në 50% në transportin publik, mbylljen e qendrave tregtare në fundjavë, mbylljen e muzeve dhe ekspozitave si dhe ndalimin e lojërave video në bare dhe vende të tjera.