Bota Italia kryen rekord testimesh, rastet e reja rriten sërish

Italia kryen rekord testimesh, rastet e reja rriten sërish

Vijojnë të jenë të larta rastet e reja me koronavirus në Itali gjatë 24 orëve të fundit.

Autoritetet shëndetësore njoftojnë se pas 94 mijë tamponësh të kryer, një shifër rekord kjo për Italinë, 1411 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, gjithashtu raportohen dhe 5 humbje të tjera jete. Që nga nisja e pandemisë në vendin fqinj numërohen 35,463 viktima dhe 263 949 të infektuar.

Aktualisht në vend, persona aktivë me virusin vdekjeprurës janë 21.932, nga të cilët 76 janë në terapi intensive.

Parisi ashpërson masat, maska tashmë do të mbahet kudo

Kryeqyteti i Francës ka përforcuar më tej masat kundër koronavirusit, duke bërë që nga e premtja mbajtja e maskës të mbahet kudo dhe nga të gjithë qytetarët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit vdekjeprurës.

Në këto masa përfshihen të gjithë, nga këmbësorët, tek çiklistët dhe nga qendra e Parisit në periferi. Maska nuk do mund të mbahet vetëm nga shoferët brenda makinave të tyre.

Përmes një komunikate për shtyp, policia e kryeqytetit francez njoftoi se përkeqësimi i situatës shëndetësore, me rastet e reja që rriten në nivele të frikshme, prefekti u detyrua të ndërmerrte këto masa në interes të popullsisë.

Më herët kryeministri Jean Castex deklaroi se qeveria do ta bënte të detyrueshme mbajtjen e maskës në Paris, por pa dhënë afate apo zonat ku kjo masë do të aplikohej.

“Virusi është duke u përhapur në të gjithë vendit dhe përhapja e tij mund të bëhet eksponenciale nëse nuk reagojmë me shpejtësi”, u shpreh kreu i qeverisë.