Në Liguria, Itali, mjekët parashikojnë ashpërsimin e betejës me Covid-19. Ata parashikojnë një valë të tretë në janar dhe një të katërt në mars.
“Për fat të keq, ne e dimë që në janar sigurisht që do të ketë një valë të tretë të Covid-it, ka të ngjarë të jetë më keq se e dyta sepse spitalet do t’i gjejë të ngarkuara dhe do të shoqërohet edhe me gripin. Përveç kësaj, ka të ngjarë që do të ketë një valë të katërt mars”, thotë presidenti rajonal i Urdhrit të Mjekëve të Ligurias, Alessandro Bonsignore.
Në një mesazh përmes Facebook drejtuar qytetarëve të rajonit të Ligurias, ai thotë se është e domosdoshme të respektojnë rregullat e distancimit, maskave dhe larjes së duarve gjatë pushimeve të Krishtlindjeve, pavarësisht se Liguria ka hyrë në kategorinë e rajoneve të verdha.
Bonsignore thotë se “duhet të mësohemi me një 2021 ku të gjithë jemi me maskë sepse do të duhet i gjithë viti i ardhshëm për të arritur imunitetin e tufës me 80% të popullsisë së vaksinuar”.
“Trendi i pandemisë së Covid-it është saktësisht i njëjtë me atë gripin spanjoll, kështu që ne e dimë se drejt cilës situatë po shkojmë. Vetëm me vaksinën, kursi do të ndryshojë dhe kjo prirje do të prishet. Ne nuk do të arrijmë në valën e tretë me një ulje të infeksioneve, siç ndodhi midis të parës dhe të dytës sepse jemi në një periudhë dimri dhe hapja që ka nisur do të thotë se nuk do të ketë një ulje të ndjeshme të infeksioneve“, tha ai.
Në prag të Krishtlindjeve, qeveria italiane ka vendosur të kthejë në zona të verdha 4 rajone të vendit (Piemonte, Lombardia, Bazilikata dhe Kalabria), duke lehtësuar në këtë mënyrë ndjeshëm kufizimet. Ky vendim çon automatikisht në hapjen e rreth 94 mijë bareve e restoranteve.