Italia mund ta bëjë shumë shpejt me detyrim vaksinimin kundër Covid-19 për të gjithë popullsinë. Kryeministri italian Mario Draghi doli në mbështetje të vaksinimit të detyrueshëm për popullatën e përgjithshme të enjten ndërsa vendi fqinj po përpiqet që deri në fund të muajit të vaksinojë 80 për qind të qytetarëve.
Qeveria tashmë i ka bërë vaksinat të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor, të shkollave dhe universiteteve, por disa ministra të Kabinetit po bëjnë presion ditët e fundit për ta futur vaksinimin e detyruar për publikun më të gjerë nëse nuk arrihet ky objektiv. Rreth 70 për qind e italianëve mbi moshën 12 vjeç kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa 63 për qind janë plotësisht të vaksinuar.
I pyetur në një konferencë shtypi në Romë nëse vaksinimi i detyrueshëm “mund të futet” për të gjithë popullatën.
“Vaksinimi i detyrueshëm në vendin tonë tashmë ekziston për personelin shëndetësor, por në realitet, ai tashmë vlen për një pjesë të shoqërisë sonë”, tha Draghi.
Draghi kishte thënë më herët se ai dhe ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza kishin diskutuar “për kohësh” nëse do të zgjasnin vaksinimin e detyrueshëm, por tha se detajet rreth hapave të ardhshëm të qeverisë do të vendosen në një takim me udhëheqësit e partive që përbëjnë koalicionin qeverisës.
Kryeministri shtoi se ishte “i sigurt” se Italia do të arrinte qëllimin e vaksinimit të 80 për qind deri në fund të shtatorit. “Unë dua të përsëris ftesën time për t’u vaksinuar“, tha ai.