Italianët u zgjuan këtë të hënë mes një tjetër bllokade për frenimin e përhapjes së Covid-19. Në më shumë se gjysmën e rajoneve, në 11 prej tyre nisi aplikimi i rregullave të ashpra të zonës së kuqe, që parashikon mbylljen e të gjitha aktiviteteve jo-jetike, veç ushqimoreve dhe farmacive. Banorëve u lejohet dalja nga shtëpitë për blerjet e përditshme, për arsye shëndetësore ose punë. Pjesa tjetër prej 9 rajonesh janë të gjitha në zonën portokalli, ku janë të mbyllura baret, restorantet dhe aktivitetet e kohës së lirë, ndërsa qarkullimi i njerëzve ndalohet gjatë natës nga ora 22 deri në 5.
Edhe Pashkët e këtij viti, italianët do i festojnë të mbyllur në shtëpi, pasi i gjithë vendi do të jetë zonë e kuqe për tre ditë nga 3 deri në 5 Prill. Italia ka hyrë në një valë të tretë të përhapjes së Covid-19, teksa rastet ditore mbi 20 mijë që prej fillimit të këtij muaji.
Roma do ta fitojë luftën kundër pandemisë jo vetëm me kufizime por edhe me një fushatë të përmirësuar vaksinimi. Planifikohet që deri në shtator të imunizohen kundër virusit korona të paktën 80 përqind e popullsisë. Ky është qëllimi i planit kombëtar të vaksinimit të shpallur nga qeveria. Për realizuar atë duhet që të vaksinohen të paktën 500,000 vetë në ditë, pra rreth tri herë më shumë sesa ishin vaksinuar në ditë deri tani (170,000).
Numri i infeksioneve në Itali është rritur javët e fundit në mënyrë të vazhdueshme. Italia ka 60 milion banorë dhe deri tani kanë vdekur më shumë se 100,000 vetë të infektuar me virusin korona.