Italia ka raportuar sot vetëm 300 raste të reja me koronavirus, numri më i ulët që prej 29 shkurti, praktikisht fillimi i epidemisë.
Edhe numri i viktimave ishte më pak se 100. 92 persona kanë humbur jetën gjatë orëve të fundit.
Një ditë më parë u raportuan vetëm 50 viktima dhe në Lombardi nuk pati asnjë të vdekur. Ndërsa këtë të hënë Lombardia numëron 34 pacientë të vdekur.
Në terapi intensive janë 541 persona, 12 më pak se dje, kurse të shtruar në spitale 8.185 qytetarë, 428 më pak se dje.
Gjatë orëve të fundit u shëruan edhe 1.502 pacientë të tjerë, duke e çuar totalin në 141.981. Që prej fillimit të pandemisë, në Itali kanë humbur jetën 32.877 persona.