Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini, tërhoqi mbështetjen e tij për koalicionin qeverisës në vend të enjten dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme, duke e detyruar Kryeministrin e vendit të kërkojë që ai të justifikojë vendimin e tij për të shkaktuar një krizë politike.
Salvini, që kryeson Legën e Veriut të ekstremit të djathtë, ka patur një seri përplasjesh me zv/kryeministrin Luigi di Mmaio, nga Lëvizja Pesë Yjet, për disa tema. Ai rriti presionin të enjten, duke thënë se nuk kishte më një mazhorancë në mbështetje të qeverisë dhe kërkoi zgjedhje të reja.
“Le të shkojmë në Parlament dhe të themi se nuk ka më një shumicë, dhe sa më shpejt pastaj të shkojmë në zgjedhje”, tha Salvini.
Kryeministri Giuseppe Conte, që ka zhvilluar bisedime të ndara me Salvinin dhe presidentin e vendit, Sergio Mattarella ndërkohë që kriza thellohej, tha në një deklaratë për shtyp më vonë, se Ministri i Brendshëm nuk mund të thërrasë Parlamentin dhe nuk i takon atij të diktojë hapat e krizës politike.
Conte i kërkoi Salvinit “ti shpjegojë vendit dhe të japë justifikime para elektoratit, që ka besuar në mundësinë e një ndryshimi, arsyet që e çuan atë të ndërpresë papritur aktivitetet e qeverisë”. Të dyja dhomat e Parlamentit aktualisht janë me pushime dhe nuk do të rimblidhen deri në shtator. Tensionet e hershme mes liderëve populistë të koalicionit 14 mujor, arritën kulmin ditët e fundit, me përplasjen kryesore të fokusuar tek financimi i një linje hekurudhore të shpejtësisë së lartë që do të kushtonte miliarda euro.