Italia nuk ia del të fitojë në kryeqytetin e Irlandës së Veriut dhe i dorëzon vendin e parë në grupin C Zvicrës, që kualifikohet në Katar 2022 pas suksesit 3-0 ndaj Bullgarisë.
Kampionët e Europës e mbyllën në barazim 0-0 transfertën me Irlandën e Veriut. Djemtë e Roberto Mancinit dominuan ndeshjen, por nuk ia dolën të çanin mbrojtjen e ngjeshur vendase.
Katër herë kampionët e botës e mbyllën grupin me 16 pikë dhe tani nuk duhet të gabojnë në “play-off” nëse duan të shkojnë në Botërorin e Katarit.
Vendi i parë me 18 pikë dhe kualifikim i drejtpërdrejtë në Katar për Zvicrën, që triumfoi me “poker” ndaj bullgarëve falë golave në pjesën e dytë të Okafor, Vargas, Itten dhe Freuler.
Anglia nuk u përmbajt aspak ndaj modestëve të San Marinos, fitoi 0-10 në transfertë dhe e mbylli grupin I në vend të parë, duke e çuar në 11 numrin e kombëtareve që janë kualifikuar në Katar 2022 bashkë me Zvicrën. Harry Kane realizoi një katërgolësh, teksa suksesi i thellë u kompletua me rrjetat e Maguire, Fabbri (autogol), Smith Rowe, Mings, Abraham dhe Saka.
Hungaria fitoi 1-2 në Poloni, me këta të fundit që do të marrin pjesë në fazën “play-off” si vend i dytë në grupin ku merrte pjesë edhe Shqipëria.
Schafer dhe Gazdag realizuan golat e fitores për hungarezët, teksa vendasve nuk u mjaftoi goli i Swiderski pas një ore lojë. Skocia i dha fund pathyeshmërisë së Danimarkës, të cilën e mposhti 2-0 falë golave të Siuttar dhe Adams.
Në sfidat e tjera, ra në sy suksesi 4-1 i Austrisë ndaj Moldavisë, ndërsa Izraeli mposhti 3-2 Ishujt Faroe.