Sport Italia, Spanja, De Biasi dhe Capello, Christian Panucci rrëfehet për FIFA-n

Italia, Spanja, De Biasi dhe Capello, Christian Panucci rrëfehet për FIFA-n

Shqipëria shkon në dy ndeshjet e fundit kualifikuese europiane për Kupën e Botës 2018 në Rusi me pothuajse asnjë shans për t’i bërë realitet finalet botërore.

Të tretët në një grup shumë të vështirë, Grupin G, shqiptarët po përgatiten për t’u përballur me dy skuadrat mbi ta në renditje: Spanjën dhe Italinë.

Dy të parët e grupit do të këshilloheshin mirë që të mos e merrnin lehtë Shqipërinë, siç shpjegoi trajneri i saj, Christian Panucci në një intervistë ekskluzive për “FIFA.com.

“Janë dy ndeshje shumë të mëdha për lojtarët tanë dhe ne do të tentojmë një fitore. Kjo është ajo që gjithmonë duhet të provosh dhe të bësh në jetë e në sport. Ne do të përpiqemi ta bëjmë jetën e vështirë për ta. Ju kurrë nuk e dini në futboll. Janë ndeshje të veçanta, sigurisht. Spanja është shtëpia ime e dytë. Kam kaluar shumë kohë atje, kam miq dhe kam kaluar një pjesë shumë të rëndësishme të karrierës sime në atë vend, i cili është afër zemrës sime. Edhe Italia është vendi ku jetoj. Kam bërë shumë paraqitje edhe për ekipin kombëtar italian”, tha trajneri i kombëtares shqiptare për “FIFA.com”,

Panucci foli për objektivat e tij me Shqipërinë, kritikat mbi Italinë e Giampiero Venturës dhe ndikimin e Capellos në karrierën e tij, ndër të tjera.

Objektivat e reja – “Gianni de Biasi bëri një punë fantastike dhe, pas kualifikimit për “EURO 2016”, Shqipëria ka fituar shumë respekt në Europë dhe në mbarë botën. Ka shumë pozitivitet përreth. Kemi një skuadër me lojtarë të mirë dhe jam shumë i lumtur. Qëllimi është të kualifikohemi për në “EURO 2020” dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë atë. Mendoj se mund të bëjmë një lëvizje të mirë dhe jam i sigurt se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur përpara”.

Nuk luan për barazim – “Më pëlqen të jem trim në të dyja rastet; fitore dhe humbje. Do të shohim se çfarë mund të ndodhë kundër Spanjës dhe Italisë. Unë nuk dua që lojtarët e mi të mendojnë se do të isha i lumtur me një barazim dhe do të ulemi të gjithë pas topit (qesh). Shmangia e humbjes do të ishte mirë, gjithsesi”.

Për Italinë dhe kritikat ndaj Venturas – “Spanja e mundi Italinë në atë ndeshje (3-0), por Italia ka fituar në shumë raste të tjera dhe unë nuk mendoj se ka shumë ndryshim mes këtyre të dyjave. Çdo lojë është e ndryshme. Nuk është e lehtë për Venturën. Kjo është një fazë tranzicioni për Italinë, ka kualifikimin për në Kupën e Botës në lojë dhe ai duhet të lejohet të vazhdojë punën. Ai është një trajner i lartë, me shumë përvojë dhe meriton respekt”.

A do ta shohim Italinë në “Rusia 2018”?- “Nuk e di. Italia po mundohet për ta bërë këtë dhe ekipi është ende në pozita për t’u kualifikuar. Unë shpresoj që ajo të shkojë në finale. Në të vërtetë, unë jam i sigurtë se kjo do të ndodhë”.

Duke marrë këshilla nga Capello – “Gjithmonë më ka pëlqyer ideja, por ai më tha se duhej të isha trajner. Ai më mori me vete në Rusi, e cila ishte një eksperiencë fantastike, dhe kjo ishte periudha kur fillova t’i jepja një mendim serioz. Duhet të punosh shumë, nëse dëshiron të fitosh si trajner. Është një punë e vështirë, por unë jam mjaft i fortë për ta bërë një hap. Le të shohim se çfarë ka e ardhmja. Kam mësuar shumë gjëra nga Capello, por ato janë të gjitha sekret (qesh). Të gjithë e dimë qasjen e Capellos ndaj punës dhe mendimit të tij, çka janë gjëra që qëndrojnë me mua, në karrierën time. Ai është një profesionist i lartë”.