Shifrat e pandemisë italiane mbeten të larta por të qëndrueshme, më pak diferenca nga 24 orët e fundit. Sot autoritetet deklaruan 17992 të infektuar të rinj, dhe 674 viktima. Rreth 10% i 179800 tamponëve të bërë ditën e sotme ka rezultuar pozitiv.
Sërish Veneto mbetet rajoni dukshëm më i goditur në ditët e fundit, me 4211 të infektuar, më tej vijnë Lombardia (2744) dhe Emilja Romanja (1745).
Ndërkohë, pas shumë debatesh, duket se brenda qeverisë është miratuar linja e rreptësisë për sa i përket masave për fundvitin.
Nga 24 dhjetor deri më 6 janar, Italia do të jetë zona e kuqe gjatë festave dhe ditën para festave, sipas burimeve qeveritare në takimin midis kryeministrit Giuseppe Conte me krerët e shumicës së delegacioneve rajonale.
“Në mënyrë që të ndalohet rritja e numrit të infektimeve, do të ketë zonë të kuqe në të gjithë Italinë gjatë pushime dhe ditën para pushimeve, nga 24 dhjetor deri më 6 janar, kurse zonë portokalli në ditët e punës”, tha ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.
Gjatë sezonit të festave, do të jetë e mundur të largohen nga territori i komunave të vogla nën 5 000 banorë, në një rreze prej 30 kilometrash, sipas vendimit komunikuar rajoneve nga qeveria.
Megjithatë, do të ndalohet lëvizja për në bashkitë e kryeqytetit, edhe nëse ato janë në një rreze prej 30 kilometrash.
Gjithashtu, ekziston edhe i ashtuquajturi përjashtim i pranisë “në të dy darkat”, sipas të cilit brenda zonës së kuqe dhe portokalli, një maksimum prej dy jobashkëjetuesish do të lejohen të vizitojnë shtëpitë private në të dy ditët “e kuqe” dhe “portokalli”.
Greqia njofton nisjen e vaksinimeve kundër COVID më 27 dhjetor
Greqia pritet të nisë vaksinimet kundër COVID-19 më 27 dhjetor, deklaroi kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë ditës së premte.
Vendet anëtare janë në pritje të miratimit të Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) për vaksinën e prodhuar nga kompania amerikane Pfizer & BioNTech
Mitsotakis tha se në bazë të përditësimeve më të fundit nga EMA, vaksina e Pfizer pritet të miratohet më 22 dhjetor.
Vaksinat e para do të mbërrijnë në Greqi më 26 dhjetor ndërsa vaksinimi do të fillojë ditën e nesërme, në pesë spitalet e Athinës si dhe Selanik, deklaroi kryeministri grek.
Të parët që do e marrin vaksinën janë stafi shëndetësor si dhe qendrat rezidenciale të moshuarve.
“Kur vaksinimi të jetë kryer do të jenë radhët e fundit të epilogut të kësaj beteje të madhe kundër pandemisë, dhe do të jetë preludi i një epoke të re sigurie dhe prosperiteti, për të cilën jam i sigurt që do të agojë sapo të lejmë pas këtë aventurë të paprecedente”, tha Mitsotakis.
Greqia është aktualisht në karantinë që pritet të zgjasë deri më 7 janar, me orë policore në mbrëmje dhe ndalim qarkullimi ndër rrethe. Masat janë në fuqi qysh prej nëntorit, si pasojë e vazhdimit të rritjes së rasteve.
Të enjten, Greqia raportoi 1.115 raste të reja, duke e çuar numrin total të rasteve që prej fillimit të pandemisë në 128.710, ndërsa 3.948 persona kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të virusit.