Italia ashpërson kufizimet për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Masat e reja hyjnë në fuqi duke nisur nga e hëna, kur rajonet e konsideruara të verdha do të kalojnë në zonë portokalli. Ndërsa për festën e Pashkëve, e gjithë Italia do të konsiderohet zonë e kuqe, duke bërë që të vendoset në fuqi një izolim total dyditor, nga data 3 deri më 5 prill.
Kjo erdhi si rezultat i dakordësisë së arritur nga qeveria e drejtuar nga kryeministri, Mario Draghi, me liderët e rajoneve. Në projektligj thuhet se rajonet që raportojnë një mesatare javore prej 250 rastesh me Covid-19 për 100 mijë banorë, do të futen në listën e zonave të kuqe dhe në zbatim do të jenë kufizimet më strikte.
E gjithë kjo vjen teksa Italia raportoi së fundmi shifrën më të lartë të rasteve të reja që prej nëntorit të kaluar. Qytetarët shprehen të shqetësuar me situatën, veçanërisht janë të lodhur nga kufizimet.
“Më duhet ta them se njerëzit ndihen pak më të lirë se herën e kaluar kur nuk shikon askënd në rrugë. Është e vështirë, por do t’ia dalim”, shprehet Francesca Martinez Paris, banore në Frosinone.
“Jemi të lodhur dhe demoralizuar. Nuk mund të punojmë dhe nuk kemi asgjë. Nuk mund të vazhdojmë kështu pasi nuk e di nëse do t’ia dalim. Na mbetet vetëm të shpresojmë”, thotë një tjetër.
Masat e reja parashikojnë që të mbyllen baret dhe restorante, të mbyllen shkolla, parukeritë dhe qendrat e bukurisë. Ndërkohë për masat pas datës 6 Prill, qeveria pritet të publikojë dekrete të tjera se si do të veprohet.
Që prej nisjes së pandemisë, Italia ka raportuar 3.1 milionë të infektuar me koronavirus dhe mbi 101 mijë jetë të humbura dhe është shteti i dytë në Europë, pas Britanisë me bilancin më të hidhur.