Sonia Mercato, e fejuara e turistit italian 33-vjeçar, Matteo Sartori, i cili vdiq 5 ditë pasi u aksidentua në kroçera rreth 20 milje larg Durrësit, thotë se i fejuari i saj vdiq për shkak të mos dhënies në kohë të ndihmës në Shqipëri.
Duke qenë se nuk kishte mjete të përshtatshme për fluturim gjatë natës, anija u drejtua drejt portit të Durrësit dhe Marko më tej u transportua nga një anije patrullimi për transport mjekësor.
Gjatë natës, ai u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, ku u vendos në kujdes intensiv për gati tre ditë. Pastaj, prindërit e tij e transferuan në spitalin Sant’Antonio në Padova me një fluturim që ndaloi në Brescia. Sartori, mbërriti në Itali në gjendje të rëndë për jetën.
Për mediat italiane ajo është shprehur: “Në Shqipëri nuk kanë pajisje për t’u marrë me këtë lloj emergjence. Ata nuk arritën të vinin dhe të merrnin Matteon me një helikopter dhe u humb shumë kohë. Ne u lamë të vetëm në det. Ai ishte një person i mrekullueshëm, i pëlqyer dhe i vlerësuar. Që kur fatkeqësia ndodhi, nuk mund të fle më në shtëpinë tonë dhe kam shkuar te prindërit e mi”.
Sonia tregon më tej se i kanë dhuruar organet e Matteos, ndërsa datën e funeralit nuk e kanë përcaktuar akoma.
Si ndodhi ngjarja
Dy të dashuruarit ishin duke ngrënë darkën e fundit në udhëtimin e tyre të planifikuar me kroçerë me 10 shtator 2019, kur Matteo duke ngrënë karkaleca preu lehtë gishtin. Ai u ngrit menjëherë nga tavolina dhe vendosi të shkojë në kabinë për të vendosur një ankerplast (manikotë).
Por duke qenë se i riu italian vuante nga emofobia, sapo pa gjakun në gisht u ligështua, duke u rrëzuar nga shkallët e anijes. Gjatë aksidentit ai përplasi kokën duke marrë fraktura të mëdha në kafkë dhe humbi vetëdijen.
Pas pesë ditësh dramatike, ai vdiq në spitalin e Padovas. Dhe Sonia është e dëshpëruar dhe plot zemërim: “Ekipi i shpëtimit mbërriti vonë”.
“Matteo dhe unë do të martoheshim. Në vend të organizimit të dasmës do të më duhet të shkoj në funeralin e tij. Kjo është diçka e pakonceptueshme“, thotë Sonia e dëshpëruar./Oranews