Italia ishte vetëm disa sekonda larg të përfunduarit si e treta në Grupin B aty ku bënin pjesë Spanja, Shqipëria dhe Kroacia.
Por një gol i Mattia Zaçagnit në limitet e ndeshjes nderoi të besuarit e trajnerit Luciano Spalletti që e mbyllën grupin në vendin e dytë me katër pikë.
Një arritje e rëndësishme sidomos nëse i hedhim një sy kundërshtarëve që do të gjejë Italia në rrugëtimin e saj deri finales së Berlinit, gjithnjë nëse ia del t’i shkojë Europianit deri në fund.
Kështu, axurrët mund të konsiderohen me fat pasi nga krahu i tyre nuk janë emrat e kombëtareve favorite si Gjermania, Spanja, Portugalia dhe Franca.
Të kaltrit mund të hasin Anglinë, ndërsa fillimisht duhet të kalojnë në raundin e 1/8-tave Zvicrën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Asnjë kundërshtar në Euro 2024 nuk është për t’u nënvlerësuar, megjithatë është fakt që Italia ia ka dalë të shmangë disi konkurrencën më të ashpër.