Aktualitet Iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, shefi i Kirurgjisë në QSUT tregon si është...

Iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, shefi i Kirurgjisë në QSUT tregon si është gjendja e kryeministrit

Shefi i shërbimit të kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata ka dalë në një konferencë për mediat ku foli rreth gjendjes shëndetësore të kryeministrit Edi Rama, i cili në orët e para të mëngjesit iu nënshtrua një operacioni për heqjen e apendicitit.

Gjata tha për mediat se ndërhyrja është kryer me laparoskopi rreth orës 02:00, ndërkohë që gjendja shëndetësore e kreut të qeverisë është e mirë.

“Operacioni u krye me laparoskopi. Është intervenuar rreth orës 02:00. Operacioni shkoi mirë, nuk ka temperatura dhe sot do të fillojë dhe të ushqehet. Nesër besoj se duhet të dalë nga spitali. Me laparoskopi koha e rikuperimit është shumë e shpejtë, brenda 2-3 ditësh. Kryeministri nuk duhet të tregojë ndonjë kujdes të shtuar. Ai mund të ecë që sot. Kryeministri komunikon normalisht dhe është i qetë”, tha Gjata.

Shefi i Kirurgjisë iu përgjigj interesit të gazetarëve:

Koha e rikuperimit total?

-Zakonisht me laparoskopi koha e rikuperimit total është shumë e shkurtër, 2-3 ditësh.

Duhet të ketë kujdes të shtuar kryeministri duke qenë së është dhe në fushatë?

-Jo, kryeministri nuk duhet të ketë asnjë kujdes të shtuar, është apandesit siç kanë hequr mijëra qytetarë shqiptarë, asnjë gjë më shumë, asnjë gjë më pak.

Kur mund të lëvizë normalisht, që të themi që ai mund të ecë vetë?

-Ai mund të ecë vetë që sot.

Kur mund të dalë në fushatë?

-Në fushatë, 2-3 ditë, varet të shohim si do të shkojë situata, nuk jua themi dot.

Domethënë e inauguruam spitalin e ri me kryeministrin?

-Jo, janë sallat që ne kemi patur, është spitali i Kirurgjisë, nuk është spitali i ri. Spital i ri është edhe ai, por i inauguruar para 3 vjetësh.

Pse zgjodhët laparoskopinë?

-Është një procedurë, mund ta bësh me laparoskopi, ne kemi kohë që kemi filluar të operojmë apandesitin me laparoskopi dhe nuk është asnjë gjë e re që edhe kryeministri u bë me laparoskopi.

A biseduar me shefin e qeverisë sot?

-Po, sapo jemi larguar, ishte në gjendje të mirë, komunikon normalisht është i qetë fare. Për të gjithë situatën do të keni komunikime në vazhdim.

Zakonisht pas interventeve mund të flasim për gjendje të stabilizuar pasi kanë kaluar 48 orë.

-Jo, jo, varet nga lloji i kirurgjisë. Kjo lloj kirurgjie është gjendje jo e stabilizuar, është gjendje e mirë pa kaluar 8 orë nga operacioni.

Nesër mund të dalë nga spitali?

-Besoj se po. Shpresojmë!

Çfarë është Laparoskopia?

Thënë thjesht, laparoskopia është vëzhgimi i barkut duke përdorur një pajisje optike. Ndërsa ishte përdorur më parë për qëllime diagnostikuese, me përparimet teknologjike, laparoskopia tani po përdoret për qëllime të trajtimit (kirurgjia laparoskopike). Ndërhyrjet tradicionale kirurgjike zakonisht kërkojnë prerje të gjata. Sidoqoftë, kirurgjia lapa-roskopike lejon prerje prej 0.5-1 cm në madhësi, përmes të cilës është e mundur të vëzhgohen problemet. Në krahasim me metodat kirurgjikale tradicionale, laparoskopia është një metodë më pak invasive dhe mund të reduktojë kohën e qëndrimit në spital, dhimbjen dhe kohën e shërimit të pacientit. Në shumicën e rasteve, laparoskopia mund të kryhet nën anestezi lokale dhe nën kushte ambulatore.