Detaje të reja janë zbuluar nga atentati në oborrin e banesës së Gentian Bejtjas.
Mësohet se autorët kanë lënë makinën pak larg banesës kanë zbritur në këmbë dhe kanë hapur zjarr në momentin që Sino ka qenë duke zbritur nga makina së bashku me fëmijët e mitur të Gentian Bejtjas.
Sipas dëshmitarëve të ngjarjes autorët kanë qëlluar dy herë. Njëherë tek banesa dhe 4 herë të tjera në rrugën kryesore aty ku u gjetën dhe 4 gëzhoja. Në total janë sekuestruar 28 gëzhoja. Jo zyrtarisht 29-vjeçari ka punuar si shofer në prokurorinë e Apelit, por nuk specifikohet se me cilin prokuror është.
Gentjan Bejtja dyshohet se dy ditë më parë ka qenë në shtëpi dhe se mund të ketë qenë në automjet me viktimën mbrëmjen e djeshme, por ka zbritur më parë.
Po ashtu ka dyshime se autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e Bejtjas. Bejtja ka kërkuar azil në Norvegji fillimisht e më pas në Suedi, por nga informacionet kërkesat për azil nuk i janë pranuar. Ai i ka shpëtuar dhe dy atentateve të tjera.
Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.
Gentian Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë.
Gentian Bejtja njihet si miku i ngushtë i Enver Stafukës, personazh i njohur i botës së krimit i rrëmbyer nga një skuadër “policore” dhe i zhdukur në rrethana të dyshimta në Shkurtin e vitit 2015.