Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka qëndruar disa ditë në Shqipëri. Mësohet se pas bregdetit të jugut në Shqipëri, ajo ka vizituar dhe Tiranën. Një vizitë, së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner ajo e ka kryer edhe në “Shtëpinë me Gjethe”.
Fotoja u bë publike në rrjetet sociale, ku gjatë vizitës në këtë muze që flet për torturat e përgjimet gjatë regjimit komunist ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” bën të ditur se Ivanka shoqërohej nga bashkëshorti Jared Kushner, i cili la një shënim librin e përshtypjeve.
“Ju falënderoj për mikpritjen kaq dashamirëse dhe që ndatë me ne historinë e shtypjes së Shqipërisë për ta kuptuar më mirë transformimin e jashtëzakonshëm, dëshmitarë të të cilit jemi ne sot. Le të mësojë dhe populli im nga ky muze që këto tmerre të mos përsëriten më!”, thuhet në shënim.
Ndërsa vajza e Trump shkruan “”Faleminderit. Gjithë të mirat për të dy vendet tona Amerika & Shqipëria”.
Në këtë foto duket edhe Richard Grenell, njeriu që dikur ishte i dërguari i Trump për çështjet e Ballkanit kur ai ishte president i SHBA-ve. Pavarësisht se demokratët qeverisin SHBA-ve, Grenell ka një ndikim tejet të lartë në Ballkan. Madje ai ka qenë tejet aktiv sa i përket krizës në veri të Kosovës, duke luajtur rol për shtensionimin e situatës.
Grenell ka postuar disa foto dhe video në rrjetet sociale pamje nga pushimet luksoze të kaluara në jugun e Shqipërisë.