Erion Habilaj – DITA
Ish-truproja i Sali Berishës zbulon një dënim në Greqi për vrasjen e hasmit që i ka vrarë vëllanë. Në këtë bisedë në DITA, Izet Haxhia sqaron të gjithë ngjarjen dhe e cilëson si orkestrim të Sali Berishës dhe shtetit shqiptar. Ai tregon rrethanat se si u vra vëllai i tij 26-vjeçar në vitin 1997, cili është autori dhe pse është dënuar në Greqi. Ai zbulon pse Sali Berisha e cilëson si vrasës, ndërsa ky nuk dinte asnjë dënim për vrasje. Inskenimi i një ngjarje që jo vetëm ekzekutoi vëllain e Izetit, por vrau dhe vrasësin duke krijuar një rreth vicioz. I pyetur se si do të reagonte nëse do të përballej me vrasësin e vëllait, Izeti jep një shpjegim befasues.
Izet, dy ditë më parë publikuat në Facebook një informacion se jeni dënuar në Greqi për vrasje në vitin 1998. Si ka mundësi që nuk jeni vënë në dijeni më parë?
Po “surprizat” në jetën time nuk kanë të mbaruar falë politikës së “pastër” që kemi. Nuk ju paska mjaftuar dënimi i padrejtë që mora në lidhje me “vrasjen e shekullit”, por aktivizuan padronët dhe miqtë e tyre në Athinë për të më dhënë një dënim akoma më të rëndë seç ma kanë dhënë në Tiranë dhe kësaj radhe si vrasës i drejtpërdrejtë.
Por “habia” është se këta plehra politikanë të dy palëve e kanë fshehur këtë dënim dhe ruajtur për ta aktivizuar kur t’u nevojitet. Këtu qëndron edhe pabesia dhe djallëzia e tyre e pashoqe.
Me Greqinë qeveria dhe policia shqiptare ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera që me ardhjen e Fatos Nanos, aq të ngushta sa i dhanë për grua agjenten e shërbimit sekret grek EYPI, Xhoanën dhe vazhduan edhe me qeverisjen Berisha, sa ky “antigreku” i tërbuar i 1994 u shiti me qindra km det atyre kur ishte kryeministër.
Ju thoni se pak ditë keni pyetur një mikun tuaj në Greqi nëse jeni në kërkim në Greqi, dhe ai ju ka njoftuar se në vitin 2001 jeni dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje në vitin 1998. Çfarë ju shtyu që të interesoheni për një gjë të tillë, kur nga ana tjetër deklaroni se s’keni bërë asnjë krim?
Unë jetoj prej 19 vitesh në Turqi, pesë vite nga këto i kam kaluar në burg, pjesa tjetër në vështirësi të mëdha të gjithëfarlloji, tash 16 vite jetoj larg fëmijëve, pa asnjë status apo leje qëndrimi këtu, pa asnjë dokument identifikimi dhe i ndaluar me vendim gjykate të largohem nga Turqia dhe qyteti ku jetoj tani. Pra me një fjalë jetoj si një i mbajtur peng këtu.
Për këtë arsye jam munduar disa herë të gjej rrugë për t’u larguar nga ky vend dhe shkuar në ndonjë vend të Europës perëndimore ku mund të merrja strehim politik (si gjithë njerëzit e mi në sajë të emrit tim) dhe pastaj të tërhiqja edhe fëmijët e të jetonim së bashku. Por rruga më e lehtë e mundshme për të kaluar në vendet e BE ishte Greqia.
Por me Greqinë kishte një problem sepse vëllai im (Isamedini) pasi u lirua nga burgu në vitin 2003 kishte tentuar të largohej në Europë nëpërmjet Greqisë bashkë me familjen e tij. Aty ishte arrestuar dhe mbajtur rreth dy javë në paraburgim. Gjatë gjithë këtyre ditëve që është mbajtur në burgjet greke është pyetur nga oficerë të lartë të policisë greke për mua dhe vendndodhjen time, por pa dhënë sqarime se përse. Si përfundim pasi kanë marrë përgjigje negative nga vëllai e kanë liruar dhe ia kanë ndaluar të hyjë përgjithmonë në Greqi.
Arsyeja tjetër është se unë kam marrë vesh nëpërmjet të njohurve të mi se pasi është vrarë vrasësi i vëllait tim, gruaja e tij ka deklaruar në mediat greke se vrasësi i burrit të saj qenka Izet Haxhiaj. Pra këto dy arsye më kanë shtyrë të pyes jo një mik, por disa, që të mësoj se a kam probleme me drejtësinë apo policinë në Greqi. Vetëm njëri arriti të mësojë këtë “surprizën” e dënimit me burg të përjetshëm për një vrasje që kur ka ndodhur unë kam qenë me mijëra km larg Athinës, në Tropojë.
A keni pasur njohje me Riza Kurbneshin?
Unë dhe familja ime këtë emër që më pyesni e kam dëgjuar më 14 qershor 1997 ditën që është vrarë vëllai im në ILB në Kamëz. As nuk e kam njohur më parë, as më pas. As nuk ia kam parë fytyrën në të gjallë apo foto.
Kuptohet jam interesuar shumë për ta parë e njohur, por nuk kam patur fatin ta shoh. Do të kishte qenë një nder për mua që ta “takoja” para se ta “takonin” të tjerë dhe ta pyesja: përse e vrau vëllain tim? Nga kush u nxit dhe pagua për këtë vrasje? Çfarë faji kishte vëllai im 26-vjeçar që e vratë prapa shpine?
Nuk e takova dot t’ia bëja këto pyetje sepse si duket ata që e porositën, paguan të vriste vëllain tim, pastaj pas vrasjes e liruan nga rajoni i policisë në Kamëz, që e morën dhe strehuan në bazën e SHIK-ut sipër rrugës së Kavajës, pastaj e transportuan në Sukth të Durrësit, dhe pasi i nxorën pasaportën me emrin Paskal dhe vizë greke e postuan në Greqi si duket për të mbyllur gojën e tij e vranë sipas stilit mafioz që dinë vetëm ata.
Do thuash ku i bazon gjithë këto që thua: po të sqaroj ju dhe opinionin se vrasësi i vëllait tim ka patur lidhje të shumëfishta me SHIK-un e Gazidedes, por lidhja kryesore është se kunati i tij (vëllai i gruas) Mark Rajda me origjinë nga Lura e Dibrës, ka qenë një oficer i lartë në SHIK-un e Gazidedes në drejtorinë operacioneve të fshehta të SHIK-ut dhe grupin e afërt të Xhahit Xhaferit. Dua të shtoj se vrasja e vëllait tim ndodhi vetëm një javë pasi unë degjenerova në Presidencë Xhahit Xhaferin dhe çarmatosa grupin e tij të vrasësve.
A keni shkelur në Greqi ndonjëherë?
Në Greqi kam shkelur për herë të parë në tetor 1992 dhe hera e fundit ka qenë në janar të 1997 ku kam qëndruar vetëm disa orë në Janinë. Kjo ka qenë hera e fundit që kam shkelur në Greqi. Në mes këtyre intervaleve mund të kem qenë mbi gjashtë herë në Greqi.
Dhe kur kaloja doganën greke apo kur kthehesha (gjithmonë nga pika e kalimit në Kakavijë) policët grekë më kalonin pa radhë sepse thoshin erdhi deputeti.
Vonë e kuptova se me ngatërronin me Ridvan Peshkëpinë që ishte frekuentues i rregullt i Greqisë nga Kakavija. Gjithmonë sa kaloja në tokën greke e ndjeja se isha i survejuar nga shërbimet sekrete greke apo ato të policisë. Pra çdo kalim i imi është i regjistruar në doganën greke të Kakavijës.
Akuzoni se gjithçka është orkestruar nga shteti shqiptar, duke fajësuar edhe indirekt Sali Berishën dhe bashkëpunëtorë të tij për tentativë nxitje hakmarrje. Cilat fakte ju shtyjnë të mendoni një skenar të tillë?
Kur e mësova këtë lajm, unë u binda plotësisht në dyshimet që kisha për përfshirjen dhe dijeninë e Berishës dhe SHIK-ut të tij në vrasjen e vëllait tim dhe më vonë në eliminimin e autorit. Pse do thuash? E para, autori pas vrasjes u kap nga policia e Kamzës, por u mbajt e fshehtë dhe u lirua nga SHIK-u.
E dyta, vëllai im nuk kishte shkelur kurrë më parë në lokalin e vrasësit dhe u çua atje nga vëllai i një eksponenti të SHIK-ut, një tropojan, i cili ndryshoi disa herë përshkrimin e vrasjes së vëllait dhe arsyen me pretekstin se jam i tronditur nga ana psikologjike dhe kur shkuam ta pyesnim pas disa ditësh që u “qetësua”, ishte zhdukur pa lënë gjurmë për vite të tëra.
Konflikti im me grupin operacional të SHIK-ut dhe me Xhahit Xhaferin i cili në zyrën e Berishës qante duke dhënë dorëheqjen e duke i thënë atij “o unë o Izeti”. Pas vrasjes se vëllait, autori është strehuar në bazën e SHIK-ut dhe i është thënë që duhet të vrasësh edhe Izetin sepse meqë ke vrarë vëllain e tij, ai nuk ta fal. I ndihmuar nga njerëzit e SHIK-ut ky vrasës ka ruajtur dy javë për të më vrarë, por nuk ka mundur dhe pastaj është strehuar në Sukth tek shtëpia e një oficeri të SHIK-ut derisa janë bërë gati po nga SHIK-u pasaporta dhe viza greke.
Është strehuar po nga njerëzit e SHIK-ut fillimisht në ishullin e Kretës pastaj në Athinë. Bazat ku strehohej i kanë ditur vetëm njerëzit e SHIK-ut, unë as e kam njohur as parë fytyrën e tij as edhe në foto. Të gjitha këto fakte, plus pafuqia e Berishës për të më komanduar mua apo urdhëruar pas prishjes me të për moszbatimin e urdhrit për bombardimin e Ambasadës Amerikane, pamundësia për të më eliminuar mua direkt, është vënë në zbatim skenari i eliminimit të vëllait tim.
Gjithashtu përpjekja e të dërguarve të tij për të më futur të godas persona që sipas tyre mund të ishin urdhëruesit e kësaj vrasje. Dhe tjetra më e rëndësishme, heshtja për eliminimin e vrasësit të vëllait tim edhe pse gruaja e vrasësit që mund të jetë edhe nxjerrësja në pritë e tij, më ka akuzuar po me porosi, mua si vrasësin e burrit të saj, pa më parë në jetën e vet.
Desha të shtoj edhe këtë që tani e kam të qartë se pse e thoshte vazhdimisht Berisha kur më akuzonte se ai është vrasës, fjalët e një vrasësi e epitete të tjera me vrasës. Unë edhe pse isha dënuar për bashkëpunim në vrasjen e Hajdarit nuk isha cilësuar vrasës direkt, ai dihet, por Berisha me djallëzinë e tij epike me cilësonte vrasës duke ditur këtë dënim timin në Greqi. Fshehja e këtij dënimi nga ana e gjithë qeverive shqiptare dhe Interpol Tiranës, tregon se sa të gatshëm dhe vendosur që është politika shqiptare për të larë hesapet me mua dhe bashkëpunimin e tyre kriminal mes vetit.
Ju keni thënë se ditën që ka ndodhur vrasja e vëllait tuaj në vitin ‘97, ju ka ardhur i biri i Berishës dhe ju ka thënë disa variante. Cilat janë ato?
Vrasja e vëllait tim ka ndodhur me 14 qershor 1997. Pasi mora lajmin e vrasjes edhe atë ma dhanë “çuditërisht” me dy orë vonesë, shkova në vendngjarje. Pyeta a njihet autori, më afrohet një djalë i ri e më thotë emrin. U lehtësova pak pasi vrasja kishte autor. Në të njëjtën kohë një tjetër person më thotë se gruaja dhe fëmijët e autorit janë këtu afër në godinën ku jetonin. Një nga njerëzit që kisha afër më thotë që të shkojmë t’i vrasim e hakmerremi.
Ja ktheva me zemërim se unë dhe burrat e familjes time nuk merren me gra e fëmijë, as nuk hakmerren ndaj tyre. U ktheva tek shtëpia ku jetoja përballë Shkollës së Kuqe, ku pas rreth një ore vjen Shkëlzen Berisha. Pas ngushëllimit më thotë që babai mendon e dyshon se në këtë vrasje mund të ketë dorë Nikollë Lesi dhe disa krerë të Partisë Socialiste si Fatmir Kumbaro etj.
Në fakt një natë më parë kisha patur një incident me një makinë që e përdornin një grup kriminal në Tiranë që mbronte Nikollë Lesin, ky incident me armë automatike dhe bomba dore përfundoi me rrethimin e shtëpisë se zyrave të gazetës “Koha Jonë” nga garda dhe SHIK-u i kudogjendur.
Unë kur pashë që makina që ndoqëm ndaloi tek shtëpia e Lesit me të cilin isha pajtuar pas incidentit të Rognerit, u tërhoqa. Është e “çuditshme” se të nesërmen e këtij incidenti ndodhi vrasja e vëllait tim dhe u hodh si alibi nga ana e Berishës me të birin përzierja e Nikollë Lesit dhe Fatmir Kumbaros. Një fakt tjetër i “çuditshëm” është se m’u kërkua nga ana e Azem Hajdarit që unë dhe dy vëllezërit e tjerë ta shoqëronim në vizitën e tij në Tropojë po atë ditë.
Unë i thashë Azemit që nuk mund të vij dot pasi kisha një punë në Gjykatën e Tiranës për të dhënë pafajësinë një person nga Fieri që akuzohej për vrasje dhe ishte në listën e 126 personave të inkriminuar që do ndihmonin PD në fushatën elektorale. Pra kur i bashkon të gjitha këto del qartë që ka patur një skenar të përgatitur mirë për vrasjen e vëllait tim.
Përse do të duhej të ndërhynte në këtë çështje Shkëlzen Berisha, kur ju ishit truproja i Berishës?
Në lidhje me këtë pyetje duhet pyetur babë e bir të cilët me quajnë vrasës sa herë më sulmojnë. N.q.s drejtësia nuk i pyet, atëherë hyn në veprim kanuni sepse unë duhet ta meritoj këtë epitetin e vrasësit dhe dënimet e pamerituara që më janë dhënë në Shqipëri e Greqi me porosi e bashkëpunim të Berishës dhe “armikut” të tij Nano që pat deklaruar në një rreth të ngushtë miqsh se unë do hakmerrem ndaj Izet Haxhiajt sepse me njerëzit e tij me detyroi të braktis kryeministrinë më 13 e 14 shtator që solli si pasojë dorëheqjen nga kryeministri. Pas atyre viteve burg.
Ju thoni se nuk keni qenë në Greqi atë ditë që ka ndodhur ngjarja. Po ku keni qenë?
Në atë kohë që është bërë kjo vrasje në Greqi unë kam qenë në Tropojë dhe isha në kërkim nga shteti shqiptar për 14 shtatorin, kishte një urdhër për të gjitha forcat e rendit që të qëllohesha pa paralajmërim kudo që të shihesha, nuk kisha asnjë mundësi dhe nuk e merrte asnjeri përsipër të më çonte deri në Tiranë për të parë fëmijën tim të porsalindur e jo më të shkoja deri në Athinë rreth 2 mijë km larg.
Absurditeti tjetër është se në ato ditë që ka ndodhur kjo vrasje në Athinë është grabitur edhe banka e Tropojës dhe në Ministrinë e Brendshme jam akuzuar unë për grabitjen e saj.
A do e vrisnit hasmin që vrau vëllain tuaj?
Dua të them se do të doja të më binte ky nder sepse aty ku nuk funksionon shteti funksionon kanuni dhe gjakun e vëllait nuk do ta falja kurrë, por edhe pse kam pasur mundësi të hakmerrem ndaj vëllezërve të vrasësit, me porosi të prerë të babait tim të ndjerë që të mos preket asnjë tjetër përveç autorit nuk jemi hakmarrë ndaj askujt.