Kur Partia Komuniste e Kinës mbylli një qytet të tërë për të luftuar shpërthimin e një koronavirusi të ri, disa zyrtarë perëndimorë të shëndetit publik paralajmëruan se qasja e hekurt e qeverisë shkelte normat demokratike dhe mund t’i përkeqësonte gjërat.
Tani që numri i rasteve të reja në të gjithë Kinën është duke u ulur ndërkohë që ka ardhur duke u rritur jashtë kufijve të saj, përgjigjja e rreptë e Kinës ndaj epidemisë po sfidon strategjitë konvencionale të perëndimit për izolimin e sëmundjeve infektive.
Këtë javë, Italia u mbyll nga pjesa tjetër e botës, duke e vendosur të gjithë kombin nën karantinë. Koreja e Jugut ka kufizuar udhëtimet brenda vendit dhe ka rritur mbikëqyrjen te qytetarët e saj.
Të martën, Presidenti Kinez Xi Jinping vizitoi Wuhanin, qytetin që u kthye në qendrën e epidemisë, për herë të parë që nga fillimi i shpërthimit, një sinjal se Partia Komuniste e sheh veten si fituese të betejës së saj kundër koronavirusit.
Udhëheqësit kinezë duket se ishin të papërgatitur, kur virusi filloi të përhapet gjerësisht në fillim të këtij viti. Zyrtarët mohuan se virusi mund të transmetohej nga një njeri tek tjetri dhe vonesat bënë që infeksionet të shumohen.
Që atëherë, Pekini e ka izoluar koronavirusin në mënyrë agresive. Fushata, e përshkruar nga presidenti Xi si një “luftë për shpëtimin e njerëzve”, ka përfshirë edhe teknologjinë, e cila u ka ardhur në ndihmë qeverisë për të monitoruar qytetarët në izolim.
Autoritetet izoluan Wuhanin, një qytet prej 11 milion banorësh, më 23 janar, e cila pasoi të paktën një duzinë bllokimesh të tjera. Partia shpërndau ushtritë për të ruajtur hyrje-daljet e qyteteve dhe për të kufizuar lëvizjet e njerëzve që jetojnë brenda tyre.
Qeveria përgjoi celularët, falë kompanive celulare për të gjetur personat që kishin thyer izolimin, rekrutoi vullnetarë për të hyrë derë më derë në ndërtesat e apartamenteve për të matur temperaturën e njerëzve dhe kërkoi ndihmën e kompanive teknologjike për të krijuar aplikacione që identifikonin njerëz e sëmurë.
Qeveria e Kinës mbylli më shumë se 500 milion njerëz të pa infektuar nga koronavirusi më shumë se popullsia e SHBA-së dhe Meksikës bashkë, në shtëpitë e tyre. Në kulmin e saj, karantina përfshiu të paktën 20 provinca dhe rajone.
Arthur Reingold, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë, i cili fillimisht ishte skeptik ndaj qasjes së Kinës, tha se Pekini ka provuar se nëse mban një qasje drakoniane, mund të izolojmë virusin.
Pengesa të mëdha
Por vendet e tjera ka të ngjarë të përballen me pengesa të mëdha duke përdorur të njëjtën taktikë. Për dallim nga shumë vende të tjera, qeveria e Kinës ka një intolerancë për pasojat ekonomike dhe gatishmërinë për të shkelur të drejtat individuale.
Giovanni Rezza, shefi epidemiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Itali, në fillim kishte dyshime nëse se masat e Kinës mund të zbatoheshin në Europë. Ai ndërroi mendje, pasi numri i të prekurve arriti në mbi 10 mijë.
“Nuk ka dyshim se Kina ishte në gjendje të luftonte epideminë”, tha ai të martën. “Ne nuk ishim në gjendje ta përmbanim virusin. Kufizimet tona ishin më të buta se ato të Kinës. Por, duke parë se sa e rëndë është situata në veri, na u desh të izolimin edhe pjesën tjetër të Italisë“.
Izolim i detyrueshëm
Në një pjesë të provincës Hubei, banorët që kapen duke mos iu bindur rregullave të izolimit duhet të ndjekin klasat informimi dhe të japin një provimi me 20 pyetje.
“Në Wuhan, disa banorë kanë denoncuar në polici të afërmit e moshuar që refuzonin të ndiqnin masa paraprake kundër koronavirusit”, thotë 26-vjeçarit Uyen Yang, një prej vullnetarëve që ndihmojnë zyrtarët e Hubei të mbledhin të dhëna shëndetësore. “Ata nuk dinin se çfarë të bënin. Prindërit nuk i dëgjonin”.
Udhëheqësit kinezë dërguan kamionë me furnizime cdo ditë në Hubei dhe zona të tjera të mbyllura dhe urdhëruan ushqimoret për shpërndarjen e ushqimit në blloqe apartamentesh.
Duke marrë shembull nga Kina, edhe disa qeveri aziatike tashmë kanë zgjeruar mbikëqyrjen e qytetarëve. Koreja e Jugut po përdor transaksionet me kartat e kreditit për të gjurmuar udhëtimet e pacientëve dhe filloi të përdorë një aplikacion për të monitoruar njerëzit nën karantinë. Autoritetet shëndetësore të Singaporit kanë përgjuar të dhënat e celularëve për të zbuluar itinerarin e udhëtimeve. Në Tajvan, inspektorët e shëndetit po përgjojnë sinjalet e telefonit celular për t’u siguruar që njerëzit nuk po i injorojnë urdhrat e izolimit në shtëpi.