Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, komenton rastin e 52-vjeçarit Gjergj Laci, me bindje radikale i cili prej gjashtë vitesh mbante të ngujuar bashkëshorten dhe dy djemtë e tij adoleshentë, të cilët i dhunonte, madje i kërcënonte me armë.
Gurra tha për Mcn Tv se institucionet fetare që njihen nga shteti, nuk duhet të jenë as memece dhe as shurdhe.
“Të mos ndalen vetëm në distancim hipokrit, duhet bashkëpunim me komunitetet fetare dhe institucionet shtetërore, parandalimi dhe jo deklarata të thata. Është trishtuese që kudo që mund të ishte në Shqipëri, por edhe në kryeqytet të përballemi me një lajm të tillë trishtues, që prodhon pasiguri.
Por edhe mbjell pasiguri, aq më tepër kur një tmerr i tillë ndodh në kryeqytet, në emër të një radikalizimi.
Është e duhur tu lëmë hapësirën e kërkuar organeve kompetente, policisë së shtetit dhe hetuesisë, për të nxjerrë në pah cila ishte situata dhe çfarë ngjyre radikalizmi kishte shtysa e tij. 6 vite traumë e tillë psikologjike por edhe fetare, duhet parë nëse ka pasur sfond fetar.
Është tjetër kambanë por nëse do ketë vërtetë një radikalizim dhe 6 vite të një ngujimi apo masakrimi të familjes së tij në emër të cilitdo besimi, kjo është katastrofike dhe kambanë alarmi nëse ka një sfond fetar.
Nëse në vend funksionojnë institucione fetare, kanë detyrën e parë të marrin mbi vete përgjegjësinë e asaj që përcillet në opinionin publik, në emër të religjionit të tyre.
Shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë qoftë në imazh, qoftë në njollosje, apo marrëdhëniet e tyre ndërfetare, apo ndërnjerëzore, radikalizimin, manipulimin, apo edhe të çuarit mish për top në emër të fesë, në këto tre dekada, apo në realitetin e pas viteve 1990”.
Sipas tij, u mbetet institucioneve të hetimit, nëse personi ka masakruar në emër të një religjioni për 6 vjet familjen e tij, kjo është një tragjedi, qoftë nga kisha apo xhamia, nëse i ka frekuentuar, është infektuar apo manipuluar, apo keqpërdorur.
“Nuk mund të justifikohet burgosja, masakrimi i familjes, në emër të religjionit në këtë mënyrë. Kjo është shumë tronditëse. Cili religjion ka një hapësirë të tillë? Askush! As krishtërimi, as islami”.
I pyetur nëse mundet që një besimtar mysliman në emër të radikalizmit të mbajë të ngujuar familjen e tij dhe sa larg qëndrimet e tij me atë që mëson feja, Gurra tha se është larg sa qielli me tokën.
Por ai shtoi se në përvojën e tij dhe në përplasjet tona si shqiptarë të një besimi të paqtë, ndau bindje se institucionet nuk duhet të mbeten vetëm në distancimin nga ky rast apo këto raste.
“Nuk mund të mbetet vetëm në distancimin ‘ata nuk janë si ne’. Në 6 vjet, shembet apo rimëkëmbet një shtet. Një realitet kaq tronditës në zemër të kryeqytetit, në mes të një komuniteti banorësh, nëse ka qenë frekuentues i objekteve të kultit, nuk është i vetmi justifikim dhe rrugëdalje, distancimi.
Nëse dikush apo disa humbin jetën në emër të manipulimit nga një religjion i caktuar, distancomi është gjë bajate. Në 6 vite duhet të ishte përcjellë shqetësimi, nga komuniteti aty.
Edhe besimtarët, dikush duhet ta përcillte shqetësimin në institucione të tilla. Është hipokrizi distancimi në momentin kur ka ndodhur gjëja, përplasja, dhuna apo keqtrajtimi i familjarëve.
Nëse ka brenda të vërtetë të fesë, ka qenë frekuentues qoftë kishe apo xhamie, 6 vite janë shumë, shumë, përballë një realiteti të tillë masakrues, nga ana fetare dhe njerëzore, nga gjithë zinxhiri i institucioneve ka pasur heshtje ose moskokëçarje.
Në aspektin e reagimit jemi jashtë mase të vonuar, mjafton të mos kalojë nga sinori im dhe atje le të jetojë 1 mijë vjet. Nëse ka frekuentuar xhami apo kishë, komuniteti i besimtarëve nuk duhet të jetë kaq moskokëçarës.
Institucionet fetare në rastin e mosmarrëveshjeve fetare, me të drejtë mund të qëndrojnë në një farë largësie, ndoshta ndërhyrja e tyre mund të jetë e vonuar, vetë rrethi i besimtarëve, të krishterë apo myslimanë, duhet të jetë më veprues, më aktivë, jo moskokëçarje e kësaj natyre që thjesht ditën kur ndodh të gjithë thonë e dinin disa, kjo nuk është qytetari. Moskokëçarja përherë ka prodhuar raste të tilla”.
I pyetur nëse njihen raste të tjera të këtyre përmasave në vend, Gurra tha se nuk janë të pakta rastet të cilat janë bërë të njohura dhe për opinionin publik, ku është shkuar në vrasje dhe ekzekutime dhe eliminime të personit tjetër apo dhunime dhe keqtrajtime brenda familjes për vite të tëra dhe personat janë përpjekur ta justifikojnë në emër të religjionit.
“E gjitha është një maskaradë për të zgjatur, marzhin apo përqindjen e radikalizimit apo ekstremizimit. Ajo që është nevralgjike është të heqim dorë nga moskokëçarja.
Një realitet i tillë si ky sot, ku evolucioni teknologjik i paraprin çdo gjëje të jetës, nuk mund të mbetet pjesa fetare pa u infektuar apo dëmtuar, apo pa rrëshqitur në radikalitet apo ekstremizëm, nëse do duhet të themi të vërtetën e shoqërisë, nuk përjashtohen që një pjesë e ndikimit vjen nga jashtë vendosjes gjeografike tonë, përmes teknologjisë, rrjetet sociale, hapësirat virtuale.
Institucionet e vendit duhet t’i paraprijnë nëpërmjet mënyrave të komunikimit publik, kisha dhe xhami. Duhen trajtuar dhe nga dritaret publike siç është media.
Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi, jo vetëm për ta shitur, ‘këta nuk janë tanët’. Duhet bashkëpunim i ngushtë me institucionet e vendit.
Se në fund janë qytetarët e këtij vendi që në realitete të ndryshme ka që bien viktima, por ka edhe të tjerë që pjesën e besimit dhe formimit fetar e marrin përmes linjave të tilla që shtegu fundor që i çon, është përplasja me shoqërinë, dhe më tej dhe me institucionet shtetërore, apo përplasja dhe rrëshqitja në një realitet jashtë shtetëror”.