Izraeli vazhdoi sulmet ndaj objektivave të Hamasit në Gaza, ndërsa përgatitet për një pushtim tokësor, ndërkohë që më shumë civilë palestinezë u vranë dhe fuqitë botërore në Kombet e Bashkuara nuk arritën të miratojnë planet për të ofruar ndihma të rëndësishme humanitare
Duke komentuar për të ardhmen e rajonit pas luftës, Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se palestinezët dhe izraelitët duhet të kenë dy shtete që jetojnë pranë njëra-tjetrës.
“Izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë krah për krah në siguri, dinjitet dhe paqe”, tha zoti Biden në një konferencë të përbashkët shtypi në Uashington me kryeministrin australian Anthony Albanese.
Biden tha se ai besonte se një arsye pse grupi islamik i Hamasit sulmoi Izraelin jugor, duke vrarë 1,400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje të kombësive të ndryshme, ishte për të parandaluar normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 6,500 njerëz, tha të mërkurën ministria e shëndetësisë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave.
Mbi 7600 raketa janë hedhur nga Gaza në drejtim të Izraelit që nga 7 tetori, sipas të dhënave të qeverisë izraelite, ndërkohë që ka pasur përleshje të vazhdueshme përgjatë kufirit verior.
Shërbimi i ambulancës izraelite “Magen David Adom” tha se dy persona po trajtoheshin pasi një raketë e lëshuar nga Gaza të mërkurën mbrëma goditi qytetin qendror izraelit Rishon Letzion, në jug të Tel Avivit.
PROPOZIMI PËR NDIHMA DËSHTON NË KËSHILLIN E SIGURIMIT
Në Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të hartuar nga SHBA-të, që bën thirrje për frenimin e luftimeve për të lejuar që ushqimi, uji dhe ilaçet shumë të nevojshme, t’u dërgohen civilëve palestinezë. Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu votuan kundër, ndërsa 10 vende anëtare votuan pro dhe dy abstenuan.
Një propozim nga Rusia për një armëpushim më të gjerë nuk arriti të merrte votat minimale. Izraeli i ka kundërshtuar të dy propozimet, duke argumentuar se Hamasi do të përfitonte dhe do të krijonte kërcënime të reja për civilët e Gazës.
Dërgesat e kufizuara të ushqimeve, ilaçeve dhe ujit nga Egjipti rifilluan të shtunën përmes vendkalimit Rafah, i vetmi që nuk kontrollohet nga Izraeli.
PËRGATITJET PËR PUSHTIM
Izraeli është zotuar se do ta zhdukë Hamasin, i cili sundon Gazën.
“Ne do të vazhdojmë ta godasim Gazën për të arritur qëllimet e luftës”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari. “Çdo goditje na forcon dhe përmirëson situatën tonë përpara fazave të ardhshme të luftës”.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë televizive se Izraeli “po përgatitet për një pushtim tokësor. Unë nuk do të jap hollësi se kur, si dhe sa”.
Tanket dhe trupat izraelite janë pozicionuar në kufirin me Gazën në pritje të urdhrave. Izraeli ka aktivizuar 360,000 rezervistë.
Trysnia ndërkombëtare po rritet për të shtyrë çdo pushtim të Gazës, jo më pak për shkak të pengjeve. Më shumë se gjysma e 220 pengjeve të marra nga Hamasi kanë pasaporta të huaja nga 25 vende të ndryshme, tha qeveria izraelite. Shumë prej tyre besohet se kanë shtetësi të dyfishtë izraelite.
Gazeta “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, raportoi se Izraeli kishte rënë dakord të shtynte pushtimin e Gazës për momentin, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të përshpejtonin masat e mbrojtjes me raketa në rajon për forcat amerikane të dislokuara atje, duke reflektuar shqetësimin se lufta në Gaza mund të përhapet në pjesë të Lindjes së Mesme.
Deri tani, zyrtarët amerikanë kanë qenë në gjendje të bindin Izraelin që të ndalojë pushtimin derisa të vendosen në rajon sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore, tha gazeta.
Të pyetur në lidhje me raportin, zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni i kishte ngritur shqetësimet me Izraelin se Irani dhe grupet islamike të mbështetura nga Irani mund të përshkallëzojnë konfliktin duke sulmuar trupat amerikane në Lindjen e Mesme. Një inkursion izraelit në Gaza mund të jetë një shkas për mercenarët e Iranit, thanë ata.