“Kushdo që njeh historinë, historinë e feve, politikën dhe diplomacinë, do ta kuptojë lehtësisht lidhjen e çështjes me Jerusalemin, Xhaminë Al-Aksa dhe lakminë për tokën e premtuar. Ne e dimë shumë mirë se cila është toka e premtuar. Ata fjalë për fjalë po hyjnë në një garë për të sfiduar Turqinë në një distancë prej 30 kilometrash.”
Kjo ishte një pjesë e fjalimit të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në eventin “TEKNOFEST 2024” që po zhvillohet në Adana, përmes së cilës donte të shpjegonte sipas tij qëllimet e vërteta të luftës që Izraeli i ka shpallur Libanit.
Erdogan u shpreh më tej se Ankaraja i ka të qarta qëllimet e administratës izraelite për të ndarë hartën e Lindjes së Mesme.
“Rajoni ynë po përjeton ditët më të dhimbshme të viteve të fundit. Tensionet, konfliktet dhe luftërat po shkatërrojnë gjeografinë tonë nga brenda. Si komb ne po i ndjekim me zemër të thyer masakrat në Gaza dhe Liban. Izraeli fillimisht pushtoi Gazën me pretekstin e Hamasit. Tani po derdh gjak në Liban me pretekstin e Hezbollahut. Pasi martirizuan Ismail Haniye, ata vranë liderin e Hezbollahut, Hasan Nasrallah. Sa herë që afrohet një armëpushim, paqe dhe qetësi në rajon, qeveria izraelite kryen një provokim që do ta hedhë në erë këtë proces. Ata po përdorin çdo mjet për të përhapur luftën në të gjithë rajonin dhe për të mbytur atë në gjak e lot”, u shpreh lideri turk.
Por Turqia sipas Erdoganit do të luftojë për t’u mbrojtur vetë dhe njëherësh për të mos lejuar copëzimin e rajonit.
“Jemi përballë një gjendjeje çmendurie nga ku marrin kënaqësi duke vrarë edhe foshnjat që mbajnë nënat në krahë. Një plan tinëzar është vënë në praktikë në rajonin tonë, i cili nuk do të kufizohet në Gaza, Bregu Perëndimor dhe Liban. Nuk ka nevojë të jesh një profet për të parë dhe kuptuar se cili është qëllimi përfundimtar i këtij plani. Ne do të mbrojmë siç duhet atdheun dhe qytetarët tanë nga sytë e këqij. Përballë çmendurisë në të cilën ndodhet rajoni ynë, ne do të qëndrojmë në anën e drejtësisë, në anën e të shtypurve, siç kemi bërë deri tani. Ne nuk do të lejojmë që rajoni jonë të copëtohet sërish me një ndarje të re Sykes-Picot. Toka e këtij vendi do të jetë gjithmonë e sigurt”, deklaroi Erdogan.
Në fund nuk e kurseu aspak një akuzë për Perëndimin, duke thënë se ata e furnizojnë Izraelin me armë dhe bomba, duke mbyllur sytë para masakrave mbi civilët në Gaza e Bejrut.
“Pavarësisht të gjitha këtyre fakteve, për fat të keq, fuqitë perëndimore vazhdojnë t’i ofrojnë armë, municione, inteligjencë dhe mbështetje diplomatike. Është e qartë se nga kanë ardhur mijëra tonë bomba që kanë rënë në Gaza dhe Liban, nga janë prodhuar dhe se kush i ka furnizuar. Me gjithë respektin e duhur, ata që ofrojnë bombat janë po aq përgjegjës për çdo pikë gjaku të derdhur, ashtu si ata që hedhin bombat. Këtë më duhet ta them shumë qartë këtu”, theksoi Erdogani.