Shqipëria zhgënjen sërish,këtë herë ndaj Izraelit në “Air Albania”, ku u mposht me rezultatin 1-2 me përmbysje dhe komplikoi totalisht objektivin për të zënë vendin e parë në grupin 2 të Ligës B.
Pas një pjese të parë më të mirë të Shqipërisë, golin e avantazhit e shënoi Armando Broja në shtesë, pasi ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Ivan Balliu.
Në pjesën e dytë u pa një Izrael krejt tjetër, që përfitoi në maksimum nga përgjumja e kuqezinjve dhe ia doli të shënojë dy herë, duke përmbysur rezultatin dhe bërë që në “Air Albania” të bjerë heshtja.
Elseid Hysaj provoi të rikthejë baraspeshën, por goli i tij u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje, ndërsa zëvendësimet e trajnerit Reja sollën ndryshimin e skemës, por jo të rezultatit, që mbeti 1-2 për Izraelin.
Me vetëm një pikë në dy ndeshje, kuqezinjtë mbetet në vendin e fundit dhe tani kreu i grupit bëhet një mision mjaft i vështirë, pavarësisht një edicioni të nisur me pretendime mjaft të mëdha.