Bota Izraeli godet konsullatën iraniane në Siri, vritet komandanti i Gardës Revolucionare

Izraeli godet konsullatën iraniane në Siri, vritet komandanti i Gardës Revolucionare

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur konsullatën iraniane në Siri duke vrarë komandantin e lartë të Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Reza Zahedi, citon Reuters. Objektivi i sulmit izraelit ishte, sipas televizionit shtetëror iranian, konsullata iraniane në Damask e cila u “shkatërrua plotësisht”.

Ambasadori iranian në Siri dhe familja e tij nuk ishin në mesin e gjashtë viktimave të sulmit. Vdekja e ushtarakut të lartë Iranian përbën një kërcënim real për rritjen e tensioneve midis Teheranit dhe Tel-Avivit. Ushtria izraelite nuk ka komentuar sulmin duke mos dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur. I ndodhur nën presionin e brendshëm, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Katarin pasi nuk po ushtron presionin e duhur kundrejt Hamasit për arritjen e një marrëveshje për pengjet.

Edhe pse bisedimet në Kajro kanë bërë përparime dhe priten të intensifikohen, pak gjasa ka që Izraeli të tërhiqet nga synimi i tij për shkatërrimin e plotë të Hamasit në Rripin e Gazës pas largimit të ushtrisë së Tel-Avivit nga rrethimi 14 ditor i spitalit Al-Shifa. Largimi i Izraelit nga spitali Al-Shifa ka lënë pas rrënim dhe dëshpërim për popullatën palestineze të zhvendosur.

“Ata bombarduan shkollën kështu që ne ikëm në al-Shifa duke kërkuar strehim. Herën e parë që erdhëm në al-Shifa ata na rrethuan dhe u larguan pas 15 ditësh. Këtë herë ata evakuuan të rinjtë në mëngjes dhe më pas ne në natën – vajzat e mia dhe unë. Kur u evakuuam natën, ata evakuuan të plagosurit. Unë nuk doja t’i braktisja të plagosurit natën”, tha një banore palestineze e zhvendosur.

Zyrtarë të ndryshëm izraelitë shprehen se, ecuria e negociatave midis Tel-Avivit dhe Uashingtonit do të ndikojë në vendimet e marra në lidhje me operacionin e ushtrisë në Rafah. Takimi midis zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit do të mbahet në formë virtuale. Fokusi kryesor i zyrtarëve amerikanë do të jetë krijimi i “mënyrave alternative” për Izraelin për të shkatërruar Hamasin – pa nisur një operacion të rëndësishëm ushtarak në Gazën jugore.