Bota Izraeli mohon sulmin në spitalin e Gazës, mjekët: Kemi ngelur pa ushqim,...

Izraeli mohon sulmin në spitalin e Gazës, mjekët: Kemi ngelur pa ushqim, ujë dhe elektricitet

Ushtria e Izraelit ka mohuar akuzat se ka goditur spitalin më të madh në Gaza, Al-Shifa. Megjithatë, ata pranojnë se kanë pasur përplasje me luftëtarët e Hamasit në veri të Rripit të Gazës.

Një kirurg në spital tha për BBC se kishin ngelur pa ujë, pa ushqim e pa elektricitet dhe se njësia e terapisë intensive ishte bllokuar si pasojë e kësaj.

Izraeli tha se do të ndihmojë të evakuojë foshnjat në një “spital më të sigurt” të dielën, teksa mjekët u shprehën se dy prej tyre vdiqën, ndërsa 37 foshnja të tjera janë në rrezik të madh.

Larg nga Gaza, në Bregun Perëndimor të pushtuar me dhjetëra njerëz morën pjesë në funeralet e 11 palestinezëve të vrarë si pasojë e një mësymje të izraelitëve në kampin e refugjatëve Jenin.

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes së Izraelit ka paralajmëruar Hezbollahun, një milici libaneze, se Izraeli mund t’i bëjë Bejrutit atë që po i bën aktualisht Gazës. Yoav Gallant tha se grupi që mbështetet nga Irani mund të fusë Libanin në luftë.

Gjithçka ndodh pasi Izraeli lëshoi një sulm hakmarrës në Gaza si pasojë e sulmit të 7 Tetorit nga Hamasi. Ndërkohë ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se mbi 11 mijë persona janë vrarë në Gaza që prej nisjes së sulmeve, ku më shumë se 4 500 prej tyre janë fëmijë.