Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, premtoi të martën vonë se Irani do të paguante shtrenjë për sulmin me raketa kundër Izraelit, ndërsa Teherani tha se çdo hakmarrje do të përballej me “shkatërrim të madh”, duke shtuar frikën për një konflikt rajonal.
“Irani bëri një gabim të madh sonte – dhe do të paguajë për këtë,” tha zoti Netanyahu në fillim të një takimi të sigurisë, thuhet në një deklarate.
Irani sulmoi Izraelin të martën me të paktën 180 raketa në shenjë hakmarrjeje ndaj fushatës izraelite kundër Hezbollahut në Liban, organizatë aleate e Teheranit, çka ka shkaktuar reagime për një përgjigje të ashpër nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Sulmi i së martës thellon edhe më tej konfliktin shumëvjeçar mes dy vendeve, ndërsa aleatët e Teheranit kërcënojnë për një konflikt më të gjerë rajonal.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Irani lëshoi rreth 200 raketa balistike në drejtim të Izraelit.
“Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe e gjithë bota duhet ta dënojë atë”, tha ai gjatë një takimi të martën me kryediplomatin indian në Departamentin e Shtetit.
Zoti Blinken tha se raportet paraprake sugjerojnë se Izraeli, së bashku me aleatët dhe Shtetet e Bashkuara, “e mposhtën në mënyrë efektive sulmin iranian”, ndërsa theksoi “angazhimin e Uashingtonit për mbrojtjen e Izraelit”.
Ushtria izraelite tha se sulmi iranian me raketa filloi rreth orës 19:30 dhe vazhdoi për rreth 30 minuta mbrëmjen e së martës.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, publikoi pamje të sulmit me raketa në kanalin e saj në rrjetin Telegram. Sipas saj, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, IRGC, sulmoi objektiva të “sigurisë dhe zbulimit” izraelit në hakmarrje për vrasjen udhëheqësit palestinez të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran në muajin korrik dhe vrasjet e kohëve të fundit të komandantëve të lartë të Hezbollahut në Liban dhe drejtuesve të IRGC-së.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin se do të përballet me pasoja të rënda për sulmin me raketa balistike ndaj Izraelit të martën, duke shtuar se akti shënoi një përshkallëzim të rëndë por dukej se nuk kishte shënuar dëmtime të mëdha në vend.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se forcat amerikane në rajon i erdhën në ndihmë Izraelit për të mposhtur sulmin dhe se administrata e Presidentit Biden po konsultohej me Izraelit për një përgjigje të mundshme.
“Ky është një përshkallëzim i thelluar nga ana e Iranit, një vepër madhore. Ne e kemi bërë të qartë se do të ketë pasoja të rënda për këtë sulm dhe do të bashkëpunojmë me Izraelit për këtë punë”, tha zoti Sullivan për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Sullivan nuk dha detaje se cilat mund të jenë pasojat, ndërsa nuk i bëri thirrje Izraelit që të përmbahej. Në muajin prill Shtetet e Bashkuara i kërkuan Izraelit që të përmbahej pas sulmit iranian me dronë dhe raketa kundër Izraelit.
Anijet e marinës amerikane në rajon goditën dhe rrëzuan disa raketa iraniane që kishin si objektiv Izraelin, njoftoi Pentagoni.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se kishte përdorur raketa hipersonike të tipit Fattah dhe se 90% e raketave goditën me sukses objektivat e tyre në Izrael. Izraeli thotë se do të ketë pasoja për sulmin.
Gjenerali izraelit Herzi Halevi tha përmes një deklarate se “momenti i hakmarrjes, prova e aftësive të sakta dhe befasuese të Izraelit do të ndërmerret në përputhje me udhëzimet e udhëheqjes së vendit”.
Nga ana tjetër, Irani është shprehur se nëse Izraeli hakmerret, përgjigja e Teheranit do të ishte ‘më dërrmuese dhe shkatërruese’. Teherani tha se kishte goditur tre baza ushtarake izraelite, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Iranit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha në një postim në rrjetet sociale se: “Kjo është vetëm një pjesë e aftësive tona. Mos u futni në një konfrontim me Iranin”.
Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë së lajmeve Reuters se urdhri për sulmin me raketa ndaj Izraelit ishte lëshuar nga udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i cili ndodhet në një vend të sigurt, shtoi zyrtari i lartë.
Pentagoni tha se sulmi i së martës ishte sa dyfishi i sulmit iranian kundër Izraelit në muajin prill. Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për ta ndihmuar Izraelin që të mbrohej nga sulmet iraniane me raketa. Zoti Sullivan tha se presidenti po i ndjek nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres e dënoi atë që ai e quajti “përshkallëzim pas përshkallëzimi”, duke thënë e: “Kjo duhet të ndalet. Një armëpushim është absolutisht i nevojshëm”.
Përmes një postimi në rrjetin X, Izraeli e kritikoi zotin Guterres se “nuk e kishte mbajtur Iranin përgjegjës për sulmin me 181 raketa balistike ndaj 10 milionë civilëve izraelitë”.