Bota Izraeli planifikon të vaksinojë 2 milionë banorë deri në fund të janarit

Izraeli planifikon të vaksinojë 2 milionë banorë deri në fund të janarit

Izraeli planifikon që dy milionë persona të marrin dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit deri në fund të Janarit.

Që prej 19 dhjetorit 2020, kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mori dozën e parë të vaksinës, Izraeli nisi një fushatë të vaksinimit kundër koronavirusit, me vaksinën e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech.

“Ne po e ngadalësojmë procesin e administrimit të dozës së parë, në mënyrë që të kemi rezerva të mjaftueshme që të gjithë ata që tashmë kanë marrë dozën e parë të mund të marrin dozën e dytë”, tha drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë izraelite, Hezi Levy për transmetuesin publik, KAN.

“Deri në fund të janarit, ne do të vaksinojmë dy milionë qytetarë, kryesisht të moshuar”, shtoi ai.

Deri më 1 janar, një milion persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Izrael.

“Ne po thyejmë rekorde”, deklaroi më 1 janar kryeministri Netanyahu.

“Jemi më përpara se e gjithë bota”, shtoi kryeministri izraelit.

Izraeli ka një popullsi prej 9,29 milionë banorësh, ka thënë Byroja e Statistikave. Në këto shifra përshihen edhe banorët në Jerusalemin Lindor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Izraeli ka regjistruar 435,866 raste pozitive me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Në këtë shtet janë raportuar për pothuajse 3,400 viktima.

Izraeli po ashtu më 1 Janar konfirmoi 18 raste me variantin e ri të koronavirusit, që fillimisht u detektua në Britani të Madhe.