Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, është informuar nga një prej homologëve të tij izraelitë se furnizimi me ujë në Gazën jugore është rikthyer.
Edhe zyrtarë izraelitë e kanë pohuar këtë gjë – zhvillim i cili mendohet se ka ardhur pas një presioni tejet të lartë amerikan ndaj palës izraelite, për të furnizuar të paktën Gazën jugore me ujë të pijshëm.
Pas sulmit të Hamasit në Izrael, më 7 tetor, zyrtarët izraelitë vendosën të ndërprisnin gjithë furnizimin me ujë, ushqime dhe mjekime për gjithë Gazën, pavarësisht faktit se mbi 2 milionë civilë jetojnë atje.
E gjitha, e bashkëngjitur me një aksion të paprecedentë ushtarak të Izraelit në Gaza, përmes bombardimeve të pandalshme deri edhe sot, të cilat kanë lënë të vrarë mbi 2 mijë e 300 palestinezë.
Palës izraelite i është bërë thirrje shpesh nga ndërkombëtarët, që të respektojnë të drejtat e njeriut dhe mos e kryejnë një rrethim të plotë të Gazës, por të lënë hapësira edhe për kalimin e civilëve në korridore të sigurta.
Me mijëra njerëz mendohet se janë zhvendosur nga Gaza veriore, ku priten luftime të ashpra, me një inkursion të paralajmëruar të Izraelit, me qëllim zhdukjen përfundimtare të Hamasit.