Pas hetimeve në lidhje me vrasjen e 7 punonjësve të ndihmës në Gazën qendrore si pasojë e një sulmi ajror, ushtria e Izraelit ka shkarkuar dy oficerë të lartë për rolin e tyre në sulm.
Hetimi izraelit gjeti se forcat izraelite besuan gabimisht se po sulmonin pjesëtarët e armatosur të Hamasit por në të vërtetë sulmuan me dronë tre makina të grupit bamirës, “World Central Kitchen”. Sipas hetimit, ata i shkelën procedurat standarde të ushtrisë.
Gjetjet e hetimit pritet t’i rrisin dyshimet ndaj aftësive të ushtrisë izraelite për vendimmarrje. Është e paqartë nëse këto shkarkime do ta zbusin zemërimin ndërkombëtar apo nëse do t’i bindin grupet ndërkombëtare të bamirësisë se ka siguri për rifillimin e punës së tyre në Gazë.
Ndërkaq Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi këtë të premte një rezolutë që bën thirrje që Izraeli të mbahet përgjegjës për krimet e luftës në Rripin e Gazës. Njëzet e tetë vende votuan pro, 13 abstenuan së bashku me Shqipërinë dhe gjashtë e kundërshtuan rezolutën, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë. Miratimi bëri që disa përfaqësues në Këshill të brohoritnin dhe duartrokisnin.
Rezoluta theksoi nevojën për të siguruar llogaridhënie për të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut në mënyrë që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Ai shprehu gjithashtu shqetësim të madh për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.
Ndërkaq, Izraeli ka miratuar hapjen e dy rrugëve humanitare në Gaza, për të lejuar më shumë ndihmë në territor. Porta Erez në veri të Gazës do të rihapet përkohësisht për herë të parë që nga fillimi i luftës dhe porti Ashdod do të hapet gjithashtu për dërgesat humanitare.
Ky vendim i Izraelit erdhi disa orë pasi Presidenti amerikan Biden foli në telefon me kryeministrin e Izraelit për herë të parë pas vrasjes së 7 punonjësve të ndihmave. Biden i dha ultimatum Netanyahut: Ose të mbrojë civilët palestinezë dhe punonjësit e huaj të ndihmës në Gaza ose Uashingtoni do të frenojë mbështetjen për Izraelin në luftën e tij kundër militantëve të Hamasit.
Ndërkaq një anije mallrash që transportonte 240 ton ushqim, fillimisht e destinuar për njerëzit e enklavës së rrethuar palestineze, lundroi përsëri në Larnaka në Qipro pas vrasjes së punonjësve të ndihmës të “World Central Kitchen”.