Bota Izraeli zbulon planin për Gazën e pas luftës

Izraeli zbulon planin për Gazën e pas luftës

Izraeli ka bërë publike detaje të një plani për sundimin e Gazës pas luftës. Plani parashikon që kontrollin e sigurisë mbi enklavën ta mbajë vetë Izraeli, ndërsa organi palestinez do të mbajë përgjegjësinë për çështjet civile.

Plani është prezantuar nga Yoav Gallant, ministri i Mbrojtjes, dhe sipas tij një forcë shumëkombëshe do të merrte përgjegjësinë për rindërtimin e Gazës në vazhdën e fushatës së bombardimeve ajrore të Izraelit, që pasuan sulmin e Hamasit më 7 tetor.

Një rol të veçantë ky plan i jep Egjiptit, sidomos në lidhje me kontrollin e kalimit të ndihmave dhe njerëzve në Rafah. Ndërkohë, në Gaza, plani nuk parashikon krijimin e vendbanimeve hebraike. Megjithatë, këshilli palestinez që parashikon plani nuk është planifikuar të jetë Autoriteti Palestinez, i cili qeveris Bregun Perëndimor dhe që u dëbua nga Gaza në vitin 2006 nga Hamasi pas fitores së tij në zgjedhje atje.

“Banorët e Gazës janë palestinezë, prandaj organet palestineze do të jenë përgjegjëse, me kusht që të mos ketë veprime armiqësore ose kërcënime kundër shtetit të Izraelit,” tha Gallant.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë i kanë thënë Times of Israel se Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, shpreson se Gaza mund të drejtohet nga një i ashtuquajtur Autoritet Palestinez i Reformuar ose “RPA”.

Plani i paraqitur nga ministri i mbrojtjes i Izraelit bazohet në supozimin se Hamasi nuk ka më kontrollin e Gazës dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë për Izraelin.

Sidoqoftë, plani nuk ka ende mbështetjen e plotë të kabinetit izraelit, i cili mbetet i ndarë në pyetjen se çfarë duhet të ndodhë me Gazën pas luftës.

Ministrat e ekstremit të djathtë në qeveri kanë propozuar zhvendosjen e hebrenjve në Gaza dhe dëbimin e palestinezëve prej atje në vende të tjera. Pjesa tjetër e kabinetit e sheh këtë si opsion si  “ekstremist” dhe “të papërshtatshëm”.