Numri i oficerëve të policisë në Bashkimin Europian ka regjistruar një rënie gjatë viteve të fundit.
BE numëronte një total prej 1.6 milionë policësh në 2016, duke u reduktuar me 3.4% që nga viti 2009.
Por cili shtet i bllokut ka numrin më të lartë të policëve?
Eurostat ka renditur Qipron si vendin me numrin më të madh të punonjësve të policisë në BE me 573 për 100 000 njerëz. Nga raporti i publikuar të premten, rezulton se mesatarisht në vitin 2016, në BE ishin 318 oficerë policie për 100 000 njerëz ose një oficer policie për 314 persona.
Megjithatë, evidentohet një diferencë e madhe ndërmjet shteteve anëtare të bllokut sa i takon këtij treguesi.
Normën më të lartë pas Qipros e ka Malta me 505, Greqia me 492 dhe Kroacia me 490 policë për 100 000 banorë. Ndërkohë, normat më të ulëta konstatohen në Hungari me 90 policë, Finlandë me 137, Danimarkë më 186 dhe Suedi me 203 policë.
Kjo diferencë vjen si rrjedhojë e disa faktorëve, ku një ndër to është legjislacioni.
“Shtetet organizojnë zbatimin e ligjit në mënyra të ndryshme, sipas nevojave, burimeve dhe prioriteteve kombëtare. Një ndryshim tjetër lidhet me faktin se kush saktësisht llogaritet si polic”, thuhet në raport.
Për shembull, disa njësi të veçanta policore mund të numërohen në mënyra të ndryshme. Përkufizimi standard i punonjësve të policisë nuk përfshin zyrtarët, stafin e mirëmbajtjes dhe punonjësit e tjerë të cilët nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në punën tipike policore.
Eurostat gjithashtu ka shqyrtuar edhe përbërjen e personelit të forcave policore. Nga të dhënat, rezultoi se në vitin 2016, 21% e punonjësve të policisë në BE ishin gra, duke shënuar një rritje prej 16.7 që nga viti 2008.