Miqësitë e femrave janë të bukura, vitale dhe padyshim të komplikuara. Në shkallën e miqësive, disa janë më të rëndësishme se tjerat. Në majë të kësaj shkalle gjendet “shoqja e ngushtë”.
Këtë shoqe e keni në çdo të mirë e të keqe. Është ajo të cilën e thërrisni duke qarë në orën dy të mëngjesit sepse jeni e dehur dhe e humbur, është ajo që ju ndihmon me çdo gjë pa u ankuar, është ajo që ju lejon të qani në shtratin e saj pas një ndarje të vështirë.
Por, pavarësisht konceptit “BFF – best friends forever” , këto miqësi faktikisht nuk zgjatin tërë jetën. Në fakt, hulumtimi i ri i kryer nga “The Book of Everyone” ka zbuluar se mesatarisht një femër do ketë gjashtë shoqe të tilla gjatë jetës së saj. Studimet gjithashtu tregojnë se miqësitë femërore kanë një jetëgjatësi mesatare prej 16 vitesh. Ndonëse kjo nuk është përgjithmonë, prapëseprapë është mjaft gjatë, dhe shumë më gjatë sesa një lidhje mesatare romantike që priret të zgjatë 10 vjet.
Megjithatë, interesant është fakti se miqësitë i mposhtin lidhjet romantike edhe në mënyra tjera, ku një pjesë e femrave thonë se më shumë argëtohen me shoqen e ngushtë sesa me të dashurin, ku 47% e femrave kanë shprehur dëshirë të shpenzojnë më shumë kohë me shoqen e tyre. Madje, një pjesë e madhe e tyre edhe e kanë pranuar se shoqja e ngushtë i njeh më mirë sesa partneri romantik.