Bota Jack Ma hiqet nga lista e të preferuarve të qeverisë kineze

Jack Ma hiqet nga lista e të preferuarve të qeverisë kineze

Jack Ma nuk është më në listën e të preferuarve të qeverisë kineze. Themeluesi i “Grupit Alibaba” nuk figuronte në listën e sipërmarrësve kinezë të botuar nga media shtetërore, Shanghai Securities News. Lista përfshin emra si Ren Zhengfei i “Huawei Technologies”, Lei Jun i “Xiaomi Corp” dhe Wang Chuanfu i “BYD”, të gjithë sipërmarrës të mëdhenj që janë vlerësuar nga qeveria kineze për kontributet e tyre.

Duke iu referuar këtyre të fundit, Shanghai Securities News shkruan se disa nga sipërmarrësit që dikur i kishte vlerësuar si “heronj kokëkrisur” në përpjekjet e tyre për t’u shkëputur nga një sistem i vjetër dhe i ngurtë ekonomik, ata tani udhëheqin “një grup kompanish që respektojnë rregullat e zhvillimit dhe tregut”.

Shkak për ftohjen e biznesmenit Ma me qeverinë komuniste është bërë një fjalim i 24 tetorit të vitit të shkuar. Ma kritikoi hapur sistemin rregullator kinez, çka solli si reagim pezullimin e një oferte publike për Ant Group, me vlerë 37 miliardë dollarë. Që nga ai moment, rregullatorët nisën një hetim anti-trust në sektorin e teknologjisë, ku Alibaba ka peshë të madhe, ndërsa pritet të vendosen rregullore më të ashpra për Ant Group. “Përplasja” e Ma me qeverinë kineze u pasua nga largimi i tij nga vëmendja e publikut për një periudhë 3-mujore. Kjo shkaktoi spekulime deri pak ditë më parë, kur ai u rishfaq me një paraqitje në video 50-sekondëshe.