Extra Jahti 500 milionë dollarësh i Jeff Bezos ankorohet në Portin e Durrësit...

Jahti 500 milionë dollarësh i Jeff Bezos ankorohet në Portin e Durrësit për…naftë

Jahti “Koru” i themeluesit të “Amazon”, Jeff Bezos, ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premteje në Portin e Durrësit.

Anija e cila kap vlerën e 500 milionë dollarëve është ankoruar në kalatën nr.5 të portit, ku do të qëndrojë për rreth 5 orë.

Burime bëjnë me dije se shkak i ardhjes së superjahtit të Bezos në Shqipëri është furnizimi me 170 mijë litra naftë dhe më pas do të vijojë lundrimin drejt Italisë.

Ajo që e bën të dallueshëm jahtin luksoz të miliarderit amerikan është skulptura prej druri e të dashurës së tij Lauren Sanchez, që ndodhet në pjesën e përparme të anijes.

Jahti, i cili është më i madh me vela në botë, përmban tre shtylla të larta dhe disa kuverta, duke përfshirë një me pishinë, sipas Boat International.

Koru është një nga simbolet më të rëndësishme të traditave maori dhe simbolizon fillimet e reja. Bezos e emërtoi me një emër të tillë anijen për shkak të fazës së re të jetës së tij, ndryshimeve pozitive, rritjes personale dhe shpresës për të ardhmen.