Kryeministri Edi Rama është shprehur në një postim në Twitter se kreun e SPAK nuk e zgjedh as qeveria, as ambasada por Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Rama nënvizon se është plotësisht dakord me ambasadën amerikane dhe bën thirrje që anëtarët e KLP-së të mos influencohen nga askush.
“Jam plotësisht dakord me ambasadën amerikane dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër“, shprehet kryeministri Rama.
Sot më herët, ambasadorja Yuri Kim lajmëroi përmes një njoftimi në Twitter se do të monitorojnë nga afër zgjedhjen e shefit të ri të SPAK-ut.
Ambasadorja theksoi se procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet.