Skenat e dhimbshme në fotot ku Mesut Hançer, 49 vjeç, mban butësisht dorën e vajzës së tij 15-vjeçare Irmak, e cila është e shtrirë nën rrënojat e ndërtesës, tronditën njerëzit në mbarë botën.
Skenat zemërthyese nga Kahramanmaras përshkruanin më së miri pikëllimin që pësuan miliona njerëz në vendet e goditura nga tërmeti i Turqisë dhe Sirisë.
Mesut Hançer humbi gjashtë anëtarë të tjerë të familjes nga tërmeti vdekjeprurës, përfshirë nënën dhe të afërmit e tij. Humbja më e dhimbshme ishte sigurisht ajo e së bijës, ku turku mund të mbante vetëm dorën e saj pa pasur mundësi ta ndihmonte.
“Unë u përpoqa ta liroj vajzën time, princeshën time, me duar të zhveshura, por në fund u desh ta lija në gërmadha”, tha Hançer.
Çdo ditë ai viziton vendin ku ka parë për herë të fundit vajzën e tij Irmak. Ai vjen në atë vend me një xhaketë portokalli, të njëjtën që kishte veshur kur u regjistruan fotot më tronditëse nga Turqia.
“Vajza ime dhe gjashtë të afërm të tjerë vdiqën të gjithë teksa po qëndronin në shtëpinë e nënës sime në Kahramanmaras. Epiqendra e tërmetit ishte pikërisht aty. Unë isha në punë, në furrë buke, kur toka u drodh”, thotë Mesut.
“Menjëherë telefonova gruan time. Ajo më tha se ajo, dy vajzat dhe djali ynë ishin të sigurt. Por vajza më e vogël fjeti në divan në shtëpinë e gjyshes sime atë natë sepse donte të ishte me të afërmit e saj. I dëshpëruar thirra nënën time, por ajo nuk u përgjigj thirrjes, kështu që unë vrapova në shtëpinë e saj”, shtoi Mesut Hançer.
Kur arriti në shtëpinë e nënës së tij, konstatoi se pallati dhjetëkatësh ishte shembur.
Irmak, nëna dhe të afërmit e tij kishin vdekur.
“Nuk doja ta lija. Ia mbajta dorën, kjo ishte e vetmja pjesë e trupit që dukej nën rrënoja. U përpoqa ta nxirrja me duar të zhveshura, por ajo po flinte. Zoti ma mori vajzën”, tha babai i tronditur në një intervistë për televizionin turk TV100.
“Ishte shumë e vështirë për të hequr rrënojat. Ne po kërkonim një ekskavator, por nuk mundëm ta merrnim. Policia mbërriti në vendngjarje, por nuk mundi të na dërgonte një ekskavator. Dhe ekipi i shpëtimit u përpoq, por s’mundi. Dua t’i falënderoj”, tregon Mesut.
“Kam pikëllim për çdo anëtar të familjes sime, por vdekja e vajzës sime ma theu zemrën. Jam gjallë, por brenda ndihem i vdekur. Ajo ishte si trëndafili dhe mbante aromë trëndafili”, përfundoi Mesut.