“E di që jam i bekuar me pasuri dhe bëj një jetë të privilegjuar. Por kjo nuk më ka bërë imun ndaj depresionit. Është e vështirë që të përshkruaj gjendjen. Nuk është thjesht mërzi apo trishtim. Është një sëmundje, një kancer i mendjes”.
Kështu shprehet James Middleton, vëllai i princeshës së Anglisë, Kate Middleton, në një rrëfim të ndjerë për betejën e tij me depresionin.
“Gjatë natës nuk mund të flija, më dukej sikur një kakofoni prej dhjetëra radiosh zienin në kokën time. Gjatë ditës, zvarritesha për në punë, ku thjesht ia ngulja sytë ekranit të kompjuterit duke pritur orën kur do kthehesha në shtëpi. Nuk u ktheja përgjigje as mesazheve më të thjeshta. Nuk komunikoja, madje as me ata që i doja më shumë: familjen time dhe miqtë e ngushtë”.
“Nuk është një ndjenjë, por një mungesë ndjenjash. Ti ekziston pa një qëllim ose një drejtim. Nuk ndjeja gëzim, lumturi apo angazhim- vetëm ankth. Nuk e mendoja vetëvrasjen- por as nuk doja të jetoja me atë gjendje mendore”.
“Ndjehesha i keqkuptuar, një dështim i vërtetë. Izolimi dhe vetmia ishin armiqtë e mi më të mëdhenj. Më dukej se do çmendesha”.
“Në dhjetor të vitit 2017, pas një përkeqësimi të ndjeshëm të shëndetit mendor, futa qentë e mi në makinë dhe pa i thënë askujt udhëtova drejt liqenit Koniston, që e dashuroja prej kohës kur isha fëmijë. Notova në ujëra të akullta dhe iu ngjita maleve me dëborë. Qëndrova në një kasolle për ditë të tëra me shpresën se do të qetësohesha. Por në fund e pranova se nuk ia dilja më: kisha nevojë dëshpërimisht për ndihmë. Ky pranim më qetësoi. E dija se po të pranoja ndihmën, do kisha shpresë. Një rreze drite nisi të dukej në errësirë”.
Por përse James po flet tani kaq hapur ai për depresionin klinik?
E para, sepse pavarësisht se thotë se nuk do jetë kurrë i kuruar plotësisht, ndihma profesionale që ka marrë ka qenë shumë e madhe. E dyta, pasi familja mbretërore dhe motra e saj po flasin gjithmonë e më shumë për problemin e shëndetit mendor.
“Ata besojnë se mund të luftojmë stigmën që shoqëron sëmundjet mendore, duke u treguar të sinqertë”.
“Sot, edhe pse është e vështirë ta pranosh- jam i lumtur që kam kaluar përmes këtij depresioni, pasi e di që kam aftësinë për ta luftuar. Kam më shumë informacion për fuqitë dhe dobësitë e mia dhe jam më i vetëdijshëm për veten. Fundi i këtij udhëtimi ka qenë pozitiv”.
“Nëse do ju lija me një mendim të vetëm juve, ai do ishte: Është OK që të mos jesh OK”.