Kryeministri Edi Rama teksa iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë atë forcë politike që bën punën, nuk la pa shigjetuar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Në një takim me të rinjtë në Kombinat, Rama tha se ai nuk ka dalë që të bëjë krushqi apo të kërkojë nuse, por njerëzit duhet të shohin që ai bën punën.
Sipas tij, zgjedhja nuk duhet të bëhet për tifozllëk.
“Të jesh me PD dhe të votosh për PD sot janë dy gjera të ndryshme. Kjo pasi zgjedhja nuk duhet të jetë tifozllëk. Nëse je kombinatase, një kampionat lagje bëhet në Tiranë, ti me Kombinatin do jesh, edhe sikur të rrah Lapraka 10:0.
Por se kush do t’i bëjë punët, ky s’mund të jetë tifozllëk. S’jeni të detyruar që të pëlqeni Edi Ramën, s’ka dalë për të gjetur nuse. Është i martuar. S’ka dalë të bëjë krushqi me asnjë. S’ia pëlqeni çitjanet, e keni kollaj fare, një klik në telekomandë dhe e fshini.
Këtu nuk bëhet fjalë për të pëlqyer Edi Ramën apo për të pëlqyer dikë tjetër. Ju pëlqen Luli? Ta marrin ta vënë në kornizë, ta vënë në mur dhe ta administrojnë si imazh. Po të duan dhe ta puthin në xham.
Po kur vjen puna për zgjedhjen, është si puna e gomarit për të ngarkuar drutë. Nëse të pëlqen ngjyra e gomarit që fle, apo e atij që është në këmbë dhe ngarkon drutë.
Merr gomarin që të bën punë dhe s’je i detyruar që ta pëlqesh. Je thjesht i interesuar ta zgjedhësh.
Nëse ty s’të pëlqen që të mos paguash taksë, ‘amanet mushkat thonë plakat labe’”., tha Rama.
“Luli nuk respekton jetën, Monika di të bëjë shtëpi të mëdha me banjo për macet
Rama u ndal sërish tek opozita. Nga Kombinati ku zhvilloi një takim me të rinjtë, Rama tha se Basha nuk respekton dot jetën e njerëzve të tij më të ngushtë.
Ndërsa për Monika Kryemadhin, tha se ajo nuk mund të vazhdojë rindërtimin, pasi di vetëm të ndërtojë shtëpi për veten, me shumë banjo, të mjaftueshme edhe për macet.
“Kush Luli? Ti thoja unë Belindës të bëjmë një të fortë në Kombinat, pa distanca të ndërtonim një qendër COVID PRO. Kjo është e turpshme e papërgjegjshme dhe për sensin e respektit që ti ke për njerëzit.
Dhe kur ti nuk respekton të drejtën e jetës së njerëzve të tu më besnikë nuk ke asnjë të drejtë tjetër.
Monika di të bëjë shtëpi, di të bëjë shtëpi për vete. I bën të mëdhaja, i bën për vete, dhe i bën me banjo dhe merr edhe macet e komshiut nëpër banjo. Për shtëpi të tjerëve, jo nuk dinë.
Ama kush do rrumpallë e ka të garantuar, ajo është mënyra sesi ata vendosin hapësirën e përbashkët.
Kur ata kanë kontrollin, hapësira e përbashkët është jashtë kontrollit”, tha Rama.