Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 42-vjeçaren Elvira Lani, e cila akuzohet se ka mashtruar disa sipërmarrës duke u marrë produkte pa paguar me pretendimin se ishte punonjëse policie.
Në seancën me dyer të mbyllura që zgjati rreth 40 minuta, Lani i ka mohuar akuzat.
Referuar hetimeve të prokurorisë, Lani prezantohej si shefe e krimeve apo si person që mbante poste të larta në institucione të ndryshme shtetërore dhe pasi shkonte në dyqane të ndryshme në kryeqytet, merrte rroba dhe bizhuteri pa bërë pagesën ose me justifikimin se do të paguante më vonë.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se 42-vjeçarja ka mashtruar në kohë të ndryshme të paktën katër pronarë dyqanesh duke përfituar sende në vlera të konsiderueshme monetare.
Por Lani e njohur për drejtësinë, pasi në 2017-ën është dënuar nga Gjykata e Gjirokastrës për të njëjtën vepër penale, atë të mashtrimit më shumë se një herë dhe sipas informacioneve kishte fituar lirinë me kusht.
Ajo u arrestua tre ditë më parë nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Premtimi”.
Gjatë kontrollit në banesë saj iu gjet një radio marrëse si ato të policisë, një pasaportë false diplomatike, një distinktiv policie si dhe dokumente të tjera institucionesh.
Pas bërjes publike të rastit mësohet se në polici janë paraqitur qytetarë të tjerë të cilët kanë bërë kallëzim për mashtrim.