Sport “Jam xheloz kur Haaland shënon 3 gola”, Guardiola i përgjigjet Ibrës me...

“Jam xheloz kur Haaland shënon 3 gola”, Guardiola i përgjigjet Ibrës me ironi

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, i është kundërpërgjigjur Zlatan Ibrahimovicit pasi sulmuesi i Milanit pretendoi se “egoja e Guardiolës” mund të pengojë Erling Haaland që të “shpërthejë” në Angli.

Ibrahimovic e kishte kritikuar më parë Guardiolën në një libër, duke pretenduar se ai sillej keq me të në Barcelonë dhe dilte nga dhoma sa herë që suedezi hynte. Ibra e kritikoi përsëri këtë javë kur u pyet për Haaland.

“A është Guardiola i aftë ta përmirësojë Haalandin? Kjo varet nga egoja që ka Guardiola, nëse ai e lejon Haaland të jetë sipër tij. Mua dhe të tjerët nuk na lejoi që të ishim kaq të mëdhenj”, tha 41-vjeçari.

Kur u pyet për komentet e Ibrahimovicit, Guardiola dha një përgjigje sarkastike: “Ka të drejtë, ka absolutisht të drejtë. Në këtë klub, në këtë ekip, egoja ime është përtej çdo personi tjetër, mbi çdo lojtar. Madje, mua nuk më pëlqen kur Erling shënon tre gola dhe e gjithë vëmendja është mbi të. Unë jam shumë xheloz. Sinqerisht, jam shumë xheloz. I kam thënë: “Erling, të lutem, mos bëj ​më gola, përndryshe The Sun dhe Daily Mail nuk do të flasin për mua. Dua që të shkruajnë vetëm për mua. Ka të drejtë, me njeh në mënyrë perfekte. Ndoshta mund të shkruajë një libër tjetër”.