Florian Gjergji dhe disa persona të tjerë janë marrë të pandehur për veprën penale “mashtrim me pasoja të rënda”. Ata dyshohet se nëpërmjet skemave mashtruese kanë tentuar që t’u marrin shuma të mëdha monetare biznesmenëve të ndryshëm duke u shkruar në aplikacionet si “Signal” dhe “Telegram”. Prokuroria e kryeqytetit ka përfunduar hetimet vetëm për dy raste ndërkohë që janë duke u hetuar edhe 5 raste të tjera.
Në bazë të hetimeve rezulton se Gjergji duke përdorur persona të tjerë u shkruante biznesmenëve të ndryshëm mesazhe duke u hequr si zyrtar i lartë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se të dyshuarit u shkruanin biznesmenëve duke u thënë se u duheshin shuma të majme parash, për çështje të ndryshme. Rasti i parë i mashtrimit u zbulua në datën 7 janar të 2023-it. Një biznesmeni me emër i është kërkuar një shumë prej 130 mijë eurosh, duke u hequr si një politikan i rëndësishëm.
Pas komunikimit, biznesmeni ka dyshuar dhe ka bërë denoncim në polici. Më pas me metoda speciale hetuesit kanë arritur të zbulojnë se kush janë personat që do të merrnin paratë. Ndërkohë kjo skemë dyshohet se është ngritur nga Fliorian Gjergji i cili sipas burimeve ndodhet në Gjermani. Ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë.
Florian Gjergji dyshohet se të gjithë aktivitetin kriminal e kryen nga Gjermania, vend ku në një prej rasteve të tentativës për të mashtruar u ka thënë personave që pajtonte, t’i dërgonin paratë pasi t’ia merrnin biznesmenit.
40-vjeçari përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që Gjergji të ketë patur sukses në raste të tjera të mashtrimit të biznesmenëve. Prej muajit janar 2023 është tentuar të zbatohet kjo skemë e mashtrimit në 7 raste, ku shuma totale arrin në mbi 500 mijë euro.
Rastet e mashtrimit të biznesmenëve:
7 janar – Operacioni “Signal”, tre të arrestuar, shuma 130.000 euro
10 janar – Operacioni “Subjekti”, tre të arrestuar, shuma 13.000 euro
13 shkurt – Operacioni “Tentativa”, tre të arrestuar, shuma 90.000 euro
6 maj – Operacioni “Telegram”, dy të arrestuar, shuma 100.000 euro
16 maj – Operacioni “Arkitekti”, një i arrestuar, shuma 70.000 euro
4 gusht – Operacioni “Replay”, tre të arrestuar, shuma 35.000 euro
29 shtator – Operacioni “Fraud”, katër të arrestuar, shuma 70.000 euro