Aktualitet Jamarbër Malltezi kërkon lirinë në Apel

Jamarbër Malltezi kërkon lirinë në Apel

Jamarbër Malltezi i është drejtuar këtë të premte Gjykatës së Posaçme të Apelit, me ankimim për masën e sigurisë arrest me burg.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ndodhet në burg prej së shtunës së 21 tetorit. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Për të njëjtën çështje SPAK ka vënë nën hetim edhe ish-kryeministrin Berisha të cilin e akuzon për korrupsion dhe ka caktuar masën detyrim paraqitje e ndalim për t’u larguar nga Shqipëria.

Të njëjtat masa janë vendosur edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

SPAK e akuzon Jamarbër Malltezin se gjatë procedurës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani, procedurë e përmbyllur në vitin 2009, është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash bashkë me biznesmenin Fatmir Bektashi.

Prokuroria e Posaçme thotë se Malltezi ka përfituar më mënyrë të parregullt nga privatizimi 5.4 milionë euro dhe se ai është favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të disa akteve ligjore dhe nën ligjore të nxjerra në favor të procedurës së privatizimit.