SPAK mori këtë të mërkurë të pandehur Jamarbër Malltezin. Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ishte në SPAK ku iu komunikua akuzat në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, të cilat para gazetarëve i cilësoi si gënjeshtra.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash.
Më herët Malltezi tha se SPAK ka krijuar një piramidë mashtrimi dhe se nuk pret asnjë gjë të re nga organi i akuzës.
“SPAK ka krijuar një piramidë mashtrimi, ka fshehur dhe gënjyer me dokumente zyrtare. Gënjeu kur tha që procesin e privatizimit e nisi qeverisja e PD, kur kemi shkresat e Anastas Agnjelit dhe Blendi Klosit që shpreheshin për privatizim. Së dyti gënjyen duke thënë sikur ishte pjesë e planit të përhapjes kur vetë hetuesit e përzgjedhur nga PS në SPAK kishin shkuar dhe vërtetuar që nuk janë pjesë e planit të përhapjes në 2004. Gënjyen kur shkuan dhe thanë që Berisha ndryshoi destinacionin e tokës, kur destinacionin e kishin ndërruar Edi Rama me drejtorët e tij pa kërkesë fare të palës pronare”, tha Malltezi.
SPAK thotë se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv.
Nën hetim për këtë rast është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Ndërkohë më herët, SPAK i komunikoi akuzën edhe Sali Berishës duke e marrë të pandehur. Akuza penale e ngritur ndaj tij është “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim”, të cilën Berisha e konsideron si “hakmarrje politike të Ramës”.