Ylli i filmave “James Bond”, Daniel Craig, është bërë oficer nderi i Marinës së Mbretërisë së Bashkuar, duke marrë titullin që edhe personazhi që ai interpreton në film, i cili është Komandant në Marinë.
“Jam i lumtur të mirëpres Komandantin e nderit Daniel Craig”, tha në një deklaratë Admirali Sir Toni Radakin, kreu i Marinës Mbretërore. “Daniel Craig njihet botërisht si Komandanti Bond për 15 vitet e fundit, një oficer i Marinës që ruan Britaninë përmes misioneve në mbarë botën. Këtë bën edhe Marina Mbretërore çdo ditë, duke përdorur teknologjinë dhe aftësitë njëlloj si James Bond”.
Sipas një deklarate për mediat, Craig do të përdorë titullin – grada e shtatë më e lartë në Marinën Mbretërore – për të ndihmuar familjet e ushtarakëve britanikë.
Filmi i ri me spiunin më të famshëm në botë, që do të jetë edhe i fundit me Daniel Craig, pritet të dalë së shpejti në kinematë botërore. Në filmin me titull “No Time to Die” promovohen disa nga pajisjet më moderne të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, si destrojeri HMS Dragon, një anije me peshë 8000 tonë, 152 metra e gjatë, të cilën Ministria angleze e Mbrojtjes e quan si një ndër më modernet në botë.