Aktualitet Janari i acartë, Europa përballet me stuhi dëbore dhe erëra të forta

Janari i acartë, Europa përballet me stuhi dëbore dhe erëra të forta

Europa po përjeton një dimër të acartë, me temperature që në disa shtete kanë arritur deri në -20 gradë celsius. Në Spanjë ka rënë një sasi rekord dëborë, që ka shkaktuar sipas autoriteteve, dëme deri në 1.6 miliardë euro.

Stuhia polare Filomena është ndjerë në mbarë vendin me shërbimin hekurudhor dhe atë ajror të ndërprera ndërsa probleme janë shkaktuar në rrugët e vendit nga ngricat. Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska tha se vendi po përballet me stuhinë më të rëndë të 50 viteve të fundit, ku dëbora në qytet ka arritur deri në 40 centimetra.

Me stuhitë e dëborës është përballur edhe Gjermania, Britania, Franca e madje Portugalia teksa temperaturat kanë rënë disa gradë nën zero. Ekspertët e meteorologjisë në Europë thonë se situata nuk do të njohë përmirësim as në ditët në vijim ndërsa ditët e para të këtij viti i kanë cilësuar si “Janari arktik”.

Java e ardhshme do të sjellë temperatura të acarta edhe në Europën perëndimore, e cila do të përballet me reshje dëbore dhe erëra të forta.

Edhe perëndimi i Shteteve të Bashkuara po përjeton dimrin e vërtetë, me temperature ndjeshëm më të ulëta nga mesatarja e viteve të shkuara ndërsa acari dhe bora e dendur nuk ka kursyer as Kanadanë.