Kryesore Janusz Bugajski: Si po investon Moska, në përçarjen e shoqërisë shqiptare

Janusz Bugajski: Si po investon Moska, në përçarjen e shoqërisë shqiptare

Nga Janusz Bugajski*

Kur Uashingtoni i hapi dritën jeshile mundësisë për shkëmbimin e tokave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Moska u hodh të kapte mundësinë e re për nxitjen e konfliktit. Për Uashingtonin, një shkëmbim i mundshëm territorial ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të normalizonte marrëdhëniet dypalëshe dhe do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit më gjerë. Për Moskën, ndryshimet e kufijve mund të shtonin një dimension të ri në strategjinë e saj për përçarje dhe pushtim.

Gjatë dezintegrimit të Jugosllavisë në vitet 1990, zyrtarët rusë mbështetën planet e Milosheviçit për një shtet më të madh serb që do të përfshinte Malin e Zi, Kosovën, gjysmën e Bosnjë-Hercegovinës dhe pjesë të Kroacisë. Ata nuk ishin kundër ndryshimit të kufijve të njësive të mëparshme federale të Jugosllavisë për të forcuar aleatin e tyre kryesor në rajon.

Kremlini gjithashtu llogariti që rregullimet e kufijve të Ballkanit mund të përforconin planet e saj për të ndarë republikat ish Sovjetike dhe për të zmadhuar Federatën Ruse.

Strategjia e re ndarëse e Rusisë në Ballkanin Perëndimor është shfaqur tani me disa qëllime të mbivendosura. Objektivi i parë është krijimi i çarjeve ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe përçarja e shoqërive shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe në vetë Shqipëri. Popullatat shqiptare nuk njihen vetëm për qëndrimin e vendosur pro-amerikan, por janë gjithashtu thellësisht rezistuese ndaj depërtimit politik dhe ekonomik të Rusisë. Moska tani do të kërkojë të shfrytëzojë çdo ndarje që mund të krijohet në lidhje me ndryshimin e kufijve për të mbjellë dhe nxitur ndikimet e saj politike të korruptuara.

Në Kosovë ka një ndarje në rritje ndërmjet atyre të cilët mbështesin dhe kundërshtojnë një transaksion që përfshin pjesë nga katër bashkitë veriore të Kosovës në këmbim të pjesëve nga tre bashki serbe në luginën e Preshevës. Gjithashtu, çdo diskutime me dyer te mbyllura rreth kufijve në mënyrë të pashmangshme krijon thashetheme që mund të shfrytëzohen nga provokatorët për të ndezur mosmarrëveshjet politike.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj në Kosovë kanë shprehur pozicione diametralisht të kundërta në lidhje me ndryshimin e kufijve. Ndërkohë që Haradinaj është vendosmërisht kundër, Thaçi ka qenë më mbështetës. Pasi u takua me Presidentin Putin, ai duket sikur beson që Rusia do ta njohë Kosovën dhe do ta lejojë të hyjë në Kombet e Bashkuara pasi të zbatohet një marrëveshje me Beogradin e cila do të përmbante rregullimet e kufijve. Ja vlen të përmendim që udhëheqësi i Rusisë rregullisht u pëshpërit dezinformata udhëheqësve të huaj për të testuar reagimet e tyre dhe për të mbjellë ide që i përshtaten interesave të Kremlinit.

Një qëllim i dytë i Kremlinit në Ballkan është përkeqësimi i ndarjeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në mënyrë që as Serbia dhe as Kosova të mund të hyjnë në NATO apo BE.

Mënyra më efektive për të mbyllur dyert e anëtarësimit është duke krijuar diversione që mbështesin konfliktet ndërshtetërore në mënyrë që palët e mosmarrëveshjeve të shihen si të papërshtatshëm për anëtarësim. Moska e di mirë qësi nacionalistët serbë dhe ata shqiptarë do të hidheshin të kapnin mundësinë e shkëmbimeve territoriale dhe mund të nxiten të ndjekin pretendime irredentiste më ambicioze, siç është ndarja e Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi ose Maqedonisë.

Është e paqartë nëse qeveria e Serbisë është plotësisht në dijeni të komploteve të Moskës apo po mashtrohet. Presidenti Vuçiç duhet të jetë i ndërgjegjshëm që Serbia mund të hyjë në konflikte të zgjatura me fqinjët nëse punon ngushtë me Rusinë. Qëllimi i deklaruar i Beogradit për lidhjen e një marrëveshjeje me Kosovën është që Serbia të hyjë më shpejt në BE.

Po përse Kremlini duhet të ndihmojë Vuçiçin në përpjekjet e tij për anëtarësim në BE të cilin është përpjekur të shuajë me dhunë në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji dhe kudo tjetër?

Ndërkohë që zyrtarët rusë fusin pyka ndërmjet kryeqyteteve të rajonit, ata në të njëjtën kohë mund të ofrojnë zgjidhje rajonale dhe të futen vetë si ndërmjetës për të reduktuar rolin e NATO-s dhe BE-së. Duke pretenduar që ndihmon në zgjidhjen e konflikteve rajonale, Moska gjithashtu llogarit që mund të përfitojë avantazhe të tjera, qoftë në reduktimin e kundërshtimit të Perëndimit ndaj projekteve të saj të gazit në Evropë apo një status të veçantë me imunitet diplomatik për bazën e saj të inteligjencës në Serbinë jugore.

Një motiv i tretë për mbështetjen e Rusisë për shkëmbimet e tokave është krijimi i precedentëve të përdorshëm, veçanërisht për ndarjen nga ajo të Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe mundësisht të shteteve të tjerë. Rregullimet me forcë të kufijve nga Moska mund të përshkruhen si lëvizje legjitime që janë njësoj me mbështetjen e Perëndimit për homogjenizimin etnik në Ballkan. Kjo do të pakësonte thirrjet për sanksione dhe ndëshkime të tjera kundër Rusisë si pasojë e marrjes së territoreve të fqinjëve të saj.

Në një botë ideale, një shkëmbim dypalësh i kufijve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të rregullohej pa provokuar konflikte politike, mëri etnike apo pretendime irredentiste. Por kushtet në Ballkan dhe rajone të tjera ku Kremlini ka injektuar influencat e tij janë larg ideales. Me “normalizimin” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si çmim tundues, aktorët perëndimorë mund të bien në një kurth të ndarjes së kufijve, pasojat e pamenduara të të cilit mund të jenë shumë më të gjera se sa ç’kanë kërkuar.

*DITA