Burri më i moshuar i botës, Masazo Nomaka i Japonisë, ka vdekur në moshën 113-vjeçare.
Ai vdiq në gjumë të dielën në mëngjes në shtëpinë e tij në Ashoro, siç njoftoi familja e tij.
“Ai ishte në gjendjen e tij normale dje dhe ndërroi jetë pa i shkaktuar asnjë problem familjes”, tha mbesa e tij Yuko.
Nomaka u lind në vitin 1905, pak muaj pasi Albert Ajnshtajni botoi teorinë e relativitetit.
Familja e tij ka në pronësi dhe ka menaxhuar një hotel me llixha për katër breza, njoftoi Associated Press.
Vitin e kaluar, Guinness e njohu zyrtarisht Nomakën, si burrin më të moshuar pas vdekjes së spanjollit Francisco Nunez Olivera.
Japonia është mes vendeve me jetëgjatësinë më të lartë. Burri më i moshuar që ka jetuar ndonjëherë ishte po ashtu japonez.
Jiroemon Kimura vdiq në vitin 2013 në moshën 116 vjeçare.