Ndërsa Serbia kultivon lidhje më të afërta me Kinën, Kosova, ish-provinca që ajo refuzon të njohë, po ndërton marrëdhënie me një tjetër gjigant të Azisë Lindore, Japoninë.
Jakob Weizman / BIRN
Kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vizitoi Japoninë tetorin e kaluar për të takuar kryeministrin Shinzo Abe, të dy krerët diskutuan një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike.
Një muaj më parë, në një takim të mëparshëm, Abe kishte njoftuar se Tokio do të hapë një ambasadë në Prishtinë – një zhvillim i rëndësishëm për Kosovën e izoluar diplomatikisht.
Tokio e njohu Kosovën një dekadë më parë, por, deri më tani, nuk ka hapur një ambasadë.
“Jam i lumtur që dialogët e nivelit të lartë kanë qenë aktivë, përfshirë dy takime samiti në këtë vit të paharrueshëm të përvjetorit të dhjetë të marrëdhënieve diplomatike Japoni-Kosovë”, tha Abe.
Që nga ajo kohë, Japonia ka njoftuar se ambasadori i caktuar në Kosovë në vitin 2019 do të jetë ish-ambasadori i saj në Mozambik nga viti 2014-2017, Akira Mizutani. Me seli në Vjenë, ai shërben edhe si mbasador në Austri. Mizutani ka shërbyer në ministrinë e jashtme të Japonisë për dekada të tëra, në ambasada të tilla si në Turqi, Gjermani dhe Pakistan.
Tani, kosovarët dhe japonezët po përgatiten për hapin e radhës në marrëdhëniet e tyre, duke shpresuar se hapja e një ambasade në Prishtinë do të forcojë angazhimin e Japonisë me shtetin e ri.
“Ky është një promovim i mirë për Kosovën”, tha Erica Chubachi, nga Sendai në Japoni, e cila ka hapur një biznes terapie orientale në Prishtinë. “Shumë japonezë ende mendojnë se Kosova është e rrezikshme. Një ambasadë japoneze në Kosovë do t’i ndihmojë japonezët të mendojnë dhe të ndihen të sigurt të udhëtojnë këtu.”
Për të përkujtuar lidhjen më të ngushtë midis Kosovës dhe Japonisë, evntet e shumta në muajt e fundit i kanë ndihmuar kosovarët të mësojnë më shumë rreth Japonisë dhe kulturës së saj.
Në nëntor, universitetet në Prishtinë, të tilla si RIT Kosova dhe UBT (Universiteti për Biznes dhe Teknologji) pritën Yuichiro Morishita, një aktivist japonez për paqen, i cili mbajti leksione rreth Hiroshimës dhe Nagasakit, dy qytetet që vuajtën nga sulmet me bomba atomike në Luftën e Dytë Botërore. Eventi ishte pjesë e një programi më të madh, të njohur si “Java e Japonisë”, e organizuar nga Ministria e Jashtme e Japonisë.
“Rinia e Kosovës mund të japë një kontribut të madh në paqen në botë, besoj”, tha Morishita, duke kujtuar takimet e tij me rreth 5,000 të rinj, në të cilat ata diskutuan paqen. “Shpresoj që me hapjen e ambasadës, populli japonez do të ketë më shumë mundësi të mësojë për Kosovën”, shtoi ai.
Ambasadori në largim Kiyoshu Koinuma e nisi javën me një koncert në Kino Armata në bulevardin kryesor të Prishtinës, ku morën pjesë artistë japonezë që luanin instrumente muzikore amtare.
Gjatë javës janë shfaqur një sërë filmash japonezë, falas, për kosovarët që kërkojnë të eksplorojnë historinë e madhe dhe kulturën influencuese të shtetit të Azisë Lindore.
Disa kanë shkuar t’i shohin vetë. “Ajo që më bën më shumë përshtypje për Japoninë është respekti i tyre për punën, eprorët, disiplina e fortë, saktësia, kujdesi për çdo detaj dhe respekti që ata kanë për paraardhësit e tyre, dashuria për zakonet, kulturën, mjedisin dhe marrëdhënia e tyre e ngushtë me natyrën”, tha Mithat Haxhiislami.
I lindur në Pejë, ai u transferua në Japoni në vitin 2003, që është edhe vendlindja e gruas së tij Kasumi. Firma e tij, Intermedico Japan Co, Ltd, është e specializuar në kujdesin shëndetësor dhe produktet kozmetike. Ai është gjithashtu kreu i Shoqatës së Miqësisë Japoni-Kosovë.
Ai tha se kishte punuar shumë në Japoni për të përhapur disa njohuri për atdheun e tij pak të njohur. “Jam përpjekur vazhdimisht të shpërndaj sa më shumë informacione pozitive për shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pasi Japonia nuk kishte pothuajse asnjë njohuri për kombin tim”, shpjegoi ai.
Ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, thotë se kjo histori po ndryshon tani, pasi mediat japoneze po fillojnë ta mbulojnë më shumë Kosovën.
“Mbulimi që mediat i kanë bërë Kosovës ka qenë i shumtë dhe pozitiv”, tha ai.
Ndërsa disa shqiptarë të Kosovës kanë arritur sukses ekonomik në Japoni, në Kosovë ndodhet ferma më e madhe e Europës për prodhimin e “shiitake”, kërpudha të famshme në Azinë Lindore.
Kërpudhat Hirano, në Mitrovicë, deri më tani është biznesi i vetëm japonez në vend. Megjithatë, japonezi Kotaro Takeda mendon se kjo do të ndryshojë pasi të hapet ambasada e re.
Takeda, i cili punon me Kombet e Bashkuara në Kosovë dhe ofron mësime artesh marciale dhe sportesh luftarake në Prishtinë në kohën e tij të lirë, thotë se politika e fuqisë së butë të Japonisë po bëhet e dukshme në marrëdhëniet e saj me kombin e Ballkanit.
“Tani është ngritur një ambasadë zyrtare. Ajo do të forcojë pozicionin e Japonisë, duke mbështetur njohjen e saj të Kosovës si një shtet sovran jo vetëm në letër, por në një kuptim praktik”, tha Takeda.
“Kjo do t’i bëjë shumë mirë marrëdhënieve Japoni-Kosovë, pasi kosovarët do të jenë në gjendje të aplikojnë për një vizë japoneze direkt në Prishtinë, në krahasim me rrugën e gjatë që duhet të bënin deri në Tiranë apo Shkup.”
Për turistët japonezë që planifikojnë të udhëtojnë drejt Europës, ambasada e re do të lehtësojë procedurat e tyre për të udhëtuar në Ballkan.
Jashtë Prishtinës, Japonia është përfshirë në një sërë projektesh, siç është lufta e qytetit të Prizrenit kundër ndryshimeve klimatike.
Ajo ftoi ata që punojnë në menaxhimin e mbeturinave të qytetit në Kobe, Japoni, për një seancë trajnimi në të cilën morën pjesë tetë vende, e organizuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, JICA. Kontributi në ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj mjedisit në Kosovë është bërë një pjesë integrale e përfshirjes së Japonisë me vendin.
Nehat Bojaxhiu, drejtor i OJQ-së Environment and Community Development, ECD, e cila mori pjesë në seancat e trajnimit në vitin 2012 dhe 2013, tha se Kosova duhet të mësojë nga ndjenja e fortë e ambientalizmit e Japonisë.
“Qytetarët japonezë e konsiderojnë gjithçka rreth tyre si shtëpinë e tyre dhe kujdesen për të. Uroj që njerëzit në Kosovë ta kuptojnë që kjo është shtëpia jonë, që ne kemi për detyrë të kujdesemi për të dhe nuk mund të vazhdojmë kështu”, tha ai.
Ai mori pjesë në seancat e trajnimit së bashku me stafin e Ministrisë së Mjedisit, komunat e rajonit të Prizrenit dhe një kompani publike për mbledhjen e mbeturinave, Ekoregjioni.
JICA është përfshirë gjithashtu në financimin e sistemeve të reja të monitorimit të cilësisë së ajrit, të vendosura në Bulevardin kryesor “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku një ekran tregon përditësimin e fundit në lidhje me nivelet e ndotjes në Kosovë.
“Qytetarët mund të mësojnë në kohë reale treguesin e ndotjes së ajrit dhe të jenë më të vetëdijshëm për cilësinë e ajrit”, tha Jiro Takeichi, nga Zyra e JICA për Ballkanin, në një intervistë për Economy Online.
Bojaxhiu beson se gjërat duken mirë për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Japonisë dhe se hapja e ambasadës së re do ta konsolidojë këtë marrëdhënie.
“Gjatë qëndrimit tim në Japoni, pata fatin të takoja shumë njerëz dhe të mësojnë për kulturën dhe traditën japoneze, si edhe gjeta shumë ngjashmëri me traditat tona”, tha Bojaxhiu, i cili u kthye në Japoni vitin e kaluar.
“Ata ishin shumë të interesuar të dinin për vendin dhe popullin tonë. besoj se ambasada do të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e lidhjeve të ardhshme midis dy vendeve.”