Si do të jetë moti përgjatë gjithë javës? Meteoalb sjell parashikimin për sot dhe deri në dielën.
“Java ka nisur nën ndikimin e vranësirave të dendura në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Në orët në vijim pritet zhvillimi i tyre duke sjellë edhe reshje shiu. Sonte pritet që reshjet më të theksuara të jenë në Alpet e Shqipërisë.
Gjatë natës dhe në mëngjesin e të martës do përfshijnë një pjesë të mirë të territorit.
Zonat qëndrore dhe zonat jugore do të kenë reshje të pakta dhe momente me pika shiu, përveç zonave veriore ku herë pas here do të ketë edhe rebeshe.
Pritet që edhe mesi i javës, e mërkura dhe e enjtja të intensifikojnë vranësirat dhe reshjet e shiut pothuajse në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Sërish më problematike situata do të jetë në zonat veriore dhe veri-lindore ku shirat do të jenë më intensive krahasuar me pjesën tjetër të vendit.
Dita e premte dhe fundjava sjell pauzë të reshjeve në pjesën mëtë madhe të Shqipërisë duke i izoluar reshjet vetëm në zonat malore.
Përsa u përket vlerave termike, sot edhe nesër mbeten temperature relativisht të larta, ku minimalja pritet të jetë 14 gradë në zonat malore, ndërkohë maksimalja shkon edhe 30 apo 31 gradë. Parashikohet që nga mesi i javës dhe deri në fundjavë të ketë rënie të temperaturave nga dita në ditë, duke kulmuar në fundjavë me temperatura të ulëta, deri në 7 gradë, në zonat malore dhe maksimalja jo më shumë se 25 gradë. Pra temperatura tipike të tetorit”, thotë Lajda Porja.