Extra Javët e karantinës, Ilda Bejleri fiton betejën me ankthin dhe depresionin

Javët e karantinës, Ilda Bejleri fiton betejën me ankthin dhe depresionin

“Kurrë s’mund të jesh e veshur plotësisht pa një buzëqeshje”, ishte statusi që prezantuesja e emisioneve sportive, Ilda Bejleri, i bashkëngjiti fotos së fundit të realizuar gjatë sfilatës së stilistit Joni Peçi.

Kësaj here në rolin e modeles, ajo dëshmoi se i ishte rikthyer buzëqeshja pas javëve traumatike që kaloi gjatë karantinës, ku mes lotësh deklaroi se po vuante nga ankthi dhe depresioni.

Tashmë që jeta po rifillon pak nga pak, edhe Ilda Bejleri ka lënë pas jetën e zymtë dhe lotët, për t’iu rikthyer haresë së televizionit dhe jetës, ashtu siç i pëlqen. Në fakt, në një intervistë që ka dhënë pak kohë më parë, Ilda është përgjigjur se e sheh jetën bardh e zi dhe ndoshta jo pa qëllim kishte veshur një fustan me këtë ngjyrë, por transparent në sfilatën e Jonit, sfilatë e cila u transmetua të dielën gjatë programit “E Diela shqiptare” të Ardit Gjebresë.

Ishin pikërisht provat për këtë sfilatë, që portalet të siguronin një foto të Ildës pranë Ardit Gjebresë dhe të nisnin aludimet nëse moderatorja po përgatitet të largohet nga “Procesi sportiv” dhe “Top Channel”, për t’u zhvendosur në “Tv Klan”.

S’vonoi shumë dhe u zbulua se në fakt, Ilda Bejleri ndodhej aty njësoj si të tjera vajza e djem të njohur të ekranit, artistë të fushave të ndryshme, të shoqëruar nga fëmijët e tyre apo njerëzit e zemrës, si: Samanta Karavella, Enca, Anxhela Peristeri, Soni Malaj, Rozana Radi, Marsela Çibukaj me VitmarBashën, Xhensila Myrtezaj me Bes Kallakun dhe emra si Manjola Nallbani, Bora Zemani, Aurela Gaçe, Blerina Bombaj, Marçela Lati, Eli Fara, të cilët ndryshe nga të tjerët janë shoqëruar nga më të shtrenjtët e tyre, fëmijët.

Por le të kthehemi tek Ilda para “buzëqeshjes”, e cila është komentuar jo pak para karantinës, duke filluar nga largimi nga “Digitalb” dhe konflikti me Dritan Shakohoxhën, aksidenti i përfolur i një gruaje, e deri te biznesi luksoz, një qendër estetike në Tiranë. Të gjitha këto ngjarje në jetën e saj nuk kaluan pa bujë dhe reagime nga vetë Ilda, deri në momentin e izolimit në shtëpi, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndoshta rënia në qetësi e bëri Ildën të përballej me gjendjen e depresionit dhe ndjesinë e ankthit, situatë e vështirë që ajo vendosi ta ndante me ndjekësit e saj në “Instagram”. Përmes një videoje në rrjetet sociale tregoi e përlotur se po kalonte një gjendje ankthi. Sipas moderatores së “Procesit Sportiv”, ka momente kur i dukej sikur po i binte tavani mbi kokë nga stresi. Më tej, ajo u bënte thirrje qytetarëve të qëndronin në shtëpi dhe të kujdeseshin për veten.

“Prej 15 ditësh po qëndroj në shtëpi. Njerëzit e kanë kaluar kohën në shtëpi duke bërë palestër, duke gatuar, por për mua këto ditë kanë qenë të vështira. Ankthi është armiku kryesor i njeriut, sidomos në këto momente. Mbi të gjitha, stresi që po kalojmë dhe fakti sikur tavani po të bie mbi kokë është diçka që duket sikur po të merr frymën. Kam filluar ta gjej qetësinë time duke filluar të besoj te Zoti. Është momenti që të reflektojmë dhe t’i lutemi shumë Zotit që kjo të kalojë. Duhet të bëjmë kujdes, sepse kjo mund të kthehet në një dramë të vërtetë nëse nuk qëndrojmë në shtëpi”, deklaronte Ilda mes lotësh.

Me vonë ajo tregoi se, ndërsa qëndronte e izoluar në shtëpi, ushtrohej në kushte shtëpie. Kujtojmë që Ilda njihet për reagimet e saj pak të ashpra kur gjendet në kryqëzata të një debati të caktuar publik.

Ajo madje nuk ka kursyer as personazhet publike, siç ishte përgjigjja që i dha me tone arrogance Mustafa Nanos, pasi ai e komentoi për zhveshjen në ekran, apo Dritan Shakohoxhës pas largimit nga puna pas 11 vitesh prej “Digitalb”.

/Panoramaplus.al